Shqipëria dhe UNESCO po bashkëpunojnë për zhvillimet në zonat e trashëgimisë botërore dhe zonat e mbrojtura.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u shpreh sot se në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm të Qeverisë shqiptare me UNESCO-n, zhvilluan së bashku me ministren Mirela Kumbaro Furxhi, një takim mjaft pozitiv me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay së bashku me përfaqësuesit teknikë dhe ekspertë të të dyja palëve.

Gonxhja thekson se institucionet shqiptare u vlerësuan pozitivisht për angazhimin serioz dhe progresin në ndjekjen e detyrave dhe rekomandimeve të UNESCO-s, si dhe për shkëmbimet e mendimeve dhe informacioneve për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve shqiptare të trashëgimisë botërore dhe zonave të mbrojtura, duke vlerësuar veçanërisht zhvillimin e bujshëm të turizmit në dy vitet e fundit në Shqipëri, si një nga destinacionet e reja më të preferuara.

Ministri Gonxhja thekson se një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte mbrojtja dhe promovimi i Parkut Kombëtar të Butrintit, ku drejtoresha Azoulay vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për hapat e ndërmarrë për zbatimin e planit të menaxhimit të integruar të Butrintit, si dhe për masat e ruajtjes dhe mbrojtjes në planet e zhvillimit ekonomik dhe social të zonës.

“Rekomandimet e ICOMOS-it janë në përputhje të plotë të vizionit të MEKI-t, siç reflektohet dhe në projektvendimin e fundit të publikuar nga Qendra e Trashëgimisë Botërore”, tha Gonxhja.

Në takim u diskutua dhe për Luginën e Vjosës, ku Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur procesin e përgatitjes së dosjes teknike të nominimit të Luginës së Vjosës, Rezervë Biosfere dhe një ekosistem i rëndësishëm natyror.

Ministrja Kumbaro nënvizoi angazhimin e qeverisë për të mbrojtur dhe menaxhuar këtë zonë në mënyrë të qëndrueshme, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së Luginës së Vjosës si një model bashkëkohor i ruajtjes së biodiversitetit dhe promovimit të turizmit ekologjik.

Gjithashtu, u diskutua për statusin aktual të qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës si vende të trashëgimisë botërore dhe hapat e mëtejshëm për përmirësimin e menaxhimit të këtyre zonave. Përfaqësuesit e UNESCO-s ofruan mbështetjen e tyre për të siguruar që këto qendra të mbeten të ruajtura mirë duke kapitalizuar mundësitë për turizëm të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.

Përfaqësuesit e palës shqiptare theksuan përkushtimin për të forcuar bashkëpunimin me UNESCO-n dhe për të përmirësuar kapacitetet e menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Shqipërisë.

Një fokus të veçantë morën dhe përpjekjet e deritanishme të shtetit shqiptar për përfshirjen e aspekteve të trashëgimisë kulturore jomateriale të tilla si xhubleta, transhumanca, iso-polifonia, si dhe për aplikimet e reja në pritje të vlerësimit, si një mundësi e promovimit të njohjes dhe ruajtjes së traditave ndër breza.

Delegacioni shqiptar do të udhëtojë drejt Parisit për një takim të posaçëm me përfaqësuesit e lartë të UNESCO-s, për të trajtuar në mënyrë më të detajuar dhe teknike të gjitha tematikat, e ndërsa në muajin korrik, Shqipëria do të jetë pjesë e sesionit nr. 46 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që do të zhvillohet në Nju-Delhi, Indi./ata