Hetimet mbi alarmet e rreme për bomba që kanë tronditur këto kohë Maqedoninë e Veriut, kanë treguar deri tani sipas ministrit të brendshëm Oliver Spasovski, se adresat e IP-së çojnë në Iran dhe Rusi.

 

 

“Kemi pasur sulme hibride intensive nga 19 tetori e deri më sot, ku janë përfshirë alarme të rreme për më shumë se 520 objekte. Gjëja më e rëndësishme është që Ministria dhe të gjitha shërbimet e sigurisë punuan me kapacitet të plotë. Ishte e nevojshme të veprohej sipas udhëzimeve që ishin në fuqi në atë kohë. Kemi krijuar një ekip ekspertësh nga të gjitha strukturat përkatëse, kemi shkëmbyer informacione dhe kemi kërkuar zgjidhje. Unë si ministër kam përcjellë një udhëzim të veçantë për trajtimin e rasteve të tilla dhe me këtë udhëzim po punohet u me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Kulturës”, u shpreh ai.

 

Spasovki theksoi se ministria që ai drejton është duke punuar intensivisht për zbulimin e autorëve, ndërsa kujtoi se me episode të ngjashme po përballen edhe vende të tjera. Alarmet për vendosje të mjeteve shpërthyese në shumë shkolla të Maqedonisë së Veriut, që vazhdojnë prej muajsh tashmë, po bëhen gjithnjë e më të pamenaxhueshme për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit  atje.

 

 

Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, vendet e Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, janë vënë në shënjestër të paralajmërimeve për vendosje bombash në shkolla dhe në institucione shtetërore, në rezidencën e presidentit maqedonas  Stevo Pendarovski, si dhe në qendra tregtare.