Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njëherësh drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, nënvizoi rëndësinë e procesit të zgjedhjeve që do të zhvillohen nesër në universitetin “Fan Noli” të Korçës.

Peleshi u shpreh se nesër do të zgjidhet lidershipi për një mandat që mund të konsiderohet më i rëndësishmi në historinë e tij.

“Kjo zgjedhje është kaq e rëndësishme, sepse dinamika e zhvillimeve rajonale demografike dhe social-ekonomike e ka sjellë arsimin në përgjithësi dhe universitetet në veçanti në qendër të një udhëkryqi të ri. Natyra ciklike e zhvillimeve na sjell herë pas here përballë zgjedhjeve të vështira për rrugën që duhet të ndjekim”, u shpreh ai.

“Çfarë duhet të ofrojë universiteti ‘Fan S. Noli’ për të qenë zgjedhja e parë e të rinjve dhe jo një zgjedhje e sforcuar? Cila është rruga që i mban lokalitetet tona të gjalla, atraktive për të rinjtë dhe në rritje, në vend të tkurrjes? Cili duhet të jetë profili ekonomik i rajonit në një epokë ndryshimesh eksponenciale teknologjike?”, nënvizoi Peleshi.

Sipas tij, janë thelbësore aftësitë që duhet të mësohen në universitet për të “prodhuar” klasën e ekspertëve të rinj që do të udhëheqin transformimin dixhital, punësimin dhe sipërmarrjen në një treg global pa qenë e nevojshme të lësh vendin.

“Si përkthehen të gjitha këto nevoja për një model të ri të ekonomisë së dijes në kurrikula dhe programe akademike? Shpesh numrat flasin më shumë se fjalët, ndaj të gjitha mund të përmblidhen në një numër – cili është programi që në fund të një mandati e çon numrin e studentëve të universitetit ‘Fan S. Noli’ në të paktën 5 mijë?”, u shpreh ai.

Numri i studentëve të një universiteti, sipas Peleshit, “nuk tregon domosdoshmërisht cilësinë e universitetit, por rritja e numrit tregon përmirësim”.

“Nëse lidershipi i ri do të ketë guximin, pasionin, kurajon dhe këmbënguljen për të udhëhequr ndryshimin dhe reformimin e universitetit drejt një modeli të ri që kthen disavantazhet në avantazhe dhe mban një kanal funksional komunikimi me tregun e punës dhe faktorët e tjerë publikë apo privatë të zhvillimit, atëherë unë besoj se mund të dalim më të fortë nga ky udhëkryq”, u shpreh ai.

“Potenciali është i madh, vullneti politik qendror dhe vendor është më pozitiv se kurrë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është tashmë në universitet me investime të mëdha, dhe Fondi Shqiptar Amerikan i Zhvillimit gjithashtu ka filluar një program fantastik të mbështetjes me ekspertë ndërkombëtarë. Nuk na mungojnë mjetet, por ka munguar dëshira dhe vizioni. Kam takuar të tre kandidatët për rektor, Robertin, Irenën dhe Lorencin.
Më vjen mirë që gjithsecili ka në program reformimin, diskontinuitetin në vend të kontinuitetit. Kush e ka potencialin për ta zbatuar, do ta vendosin vetë pedagogët dhe studentët nesër. Suksese!”, u shpreh Peleshi./ata