Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu ka njoftuar se ka nënshkruar një dekret për fillimin e negociatave për pranimin e vendit të saj në Bashkimin Evropian (BE).
"Sot nënshkrova një dekret për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Moldavisë në BE. Moldavia ka zbatuar të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian", shkroi Sandu në rrjetet sociale pas një takimi të Komisionit Kombëtar për Integrimin Evropian.
Ajo theksoi se negociatat për anëtarësimin do të fillojnë më 25 qershor në konferencën e parë ndërqeveritare Moldavi-BE, dy vite pasi vendi mori statusin e kandidatit.
Sandu njoftoi se zv/kryeministrja për Integrimin Evropian, Cristina Gerasimov, është emëruar kryenegociatore nga Moldavia. Presidentja moldave tha se pret që Moldavia të bëhet shtet anëtar i BE-së deri në vitin 2030.
"Mijëra njerëz në institucionet qeveritare qëndrojnë pas këtyre përpjekjeve për të modernizuar vendin dhe puna e secilit prej tyre ka një ndikim vendimtar në arritjen e qëllimit të vendit tonë për përgatitjen e Moldavisë për anëtarësim në BE deri në vitin 2030", tha ajo.
Sandu theksoi se integrimi në BE është e "vetmja rrugë e zhvillimit (për Moldavinë), falë së cilës do të sigurohet paqja, prosperiteti dhe një jetë më e mirë për të gjithë qytetarët".
Në fillim të qershorit, Komisioni Evropian (KE) rekomandoi fillimin e negociatave për pranimin e Moldavisë dhe Ukrainës në bllokun 27-anëtarësh./aa