Avokati i Popullit përmes Seksionit të Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijës, ka përpiluar rekomandimin për marrjen e masave ligjore për përshpejtimin e gjykimit të çështjeve që kanë për objekt të drejtat e fëmijëve apo që kanë ndikim tek fëmijët e mitur.

 

Avokati i Popullit sqaron se ky rekomandim, drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë, trajton problemin e zgjatjes tej afateve të arsyeshme të proceseve gjyqësore që kanë për objekt të drejta të fëmijës apo që kanë ndikim tek një fëmijë i mitur, ku përfshihen edhe çështjet me objekt kujdestarinë.

 

“E drejta e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm është një standard kushtetues, i garantuar dhe i sanksionuar në aktet që përcaktojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si në nivel ndërkombëtar në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), ashtu edhe në të drejtën e brendshme në nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Çështjet që kanë për objekt të drejta të fëmijës, për shkak të natyrës së tyre, kërkojnë përshpejtim të posaçëm në procedurat e gjykimit, pasi sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) lidhen me interesa “vetjake e jetësore””, thuhet në njoftim.

 

Në vlerësimin e Avokatit të Popullit, pavarësisht ngarkesës aktuale të punës në gjykata, “interesi i lartë i kërkuesit (fëmijë në rastin konkret), si dhe rreziku që pas sjell tejzgjatja e procedurave për të”, duhet të jetë një kriter udhërrëfyes për gjykatën për të prioritizuar çështjet që kanë objekt të drejtat e fëmijëve, bazuar në mundësitë e kapacitetet aktuale të gjyqësorit, për të respektuar standardin e afatit të arsyeshëm. /ATSH