Komisioni i Posaçëm Parlamentar Antikorrupsion ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ndërkohë që sërish opozita nuk ka marrë pjesë në mbledhje.
Në fillim të mbledhjes, kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj u shpreh i keqardhur që ende opozita nuk po bëhet pjesë e aktivitetit normal të komisionit.
“Është me rëndësi që opozita të marrë pjesë në Komision. Shpresoj që opozita të reflektojë dhe të marrë pjesë. Procesi është gjithëpërfshirës, transparent dhe profesional me produkte të qarta e të dobishme”, u shpreh Xhafaj.
Ai theksoi se janë ftuar dhe aktorë të tretë të marrin pjesë në këtë komision.
“Iu bëjmë thirrje ekspertëve shqiptarë kudo që ata jetojnë, që të ndihmojnë me ekspertizë. E kemi të nevojshme që të hapim një faqe për të informuar publikun në lidhje me mbarëvajtjen e Komisionit për Antikorrupsionin”, u shpreh ai.
Në mbledhjen e sotme, anëtarët u informuan fillimisht mbi zbatimin e vendimeve të mbledhjes së parë të komisionit.
Po ashtu, deputetët diskutuan për procesin përgatitor për organizimin dhe funksionimin e komisionit dhe projektaxhendën e tij.
Xhafaj theksoi se komisioni do t’i drejtohet me një kërkesë institucioneve shtetërore për të propozuar emrat e përfaqësuesve apo specialistëve me të cilët do të përfaqësohen për të bashkëpunuar dhe kontribuar me ekspertizën e tyre pranë nëngrupit të punës për Antikorrupsionin pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar.
Sipas kryetarit të komisionit do t’u bëhet po ashtu edhe një ftesë publike për bashkëpunim organizatave ndërkombëtare të ekspertizës që veprojnë në vendin tonë dhe vende të tjera si dhe për individ, ekspertë me përvojë në këto fusha, vendas dhe ndërkombëtarë.
Në këtë drejtim, deputetja e PS-së Etilda Gjonaj u shpreh se “kemi mundësi që të tërheqim edhe ekspertë shqiptarë, që mund të japin kontribut për vendin”.
Në përfundim deputetët diskutuan edhe mbi konceptin e faqes Web dhe Platformës së Komunikimit publik të komisionit.
Deputeti i PS-së Eduard Shalsi parashtroi nevojën që veç faqes Web të aktivizohen dhe platformat e rrjeteve sociale./ata