Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka njoftuar sot se, për të përballur me fluksin e shtuar të turistëve gjatë verës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur çadra mjekësore përgjatë vijës së liqenit të Pogradecit.

Ministrja Koçiu, teksa ka inspektuar Qendrë Shëndetësore në shëtitoren e Pogradecit, thekson se synimi është që këto qendra të ofrojnë kujdes shëndetësor të pandërprerë dhe cilësor gjatë sezonit turistik.

“Qendra Shëndetësore në shëtitoren e Pogradecit është një nga 13 Qendra Shëndetësore verore në shërbim të turistëve vendas dhe të huaj duke ofruar kujdes shëndetësor të pandërprerë dhe cilësor. Për t’u përballur me fluksin e shtuar të turistëve gjatë sezonit turistik, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë masa duke vendosur çadra mjekësore përgjatë vijës së liqenit të Pogradecit”, shkruan Koçiu

Koçiu thekson se “këto çadra janë të pajisura me personel mjekësor dhe pajisje të nevojshme për të ofruar ndihmë të shpejtë dhe shërbime mjekësore të menjëhershme për turistët e huaj dhe vendas. Ky shërbim ka për qëllim të garantojë siguri dhe kujdes shëndetësor të mjaftueshëm gjatë periudhës së verës, kur numri i vizitorëve në qytet rritet ndjeshëm”, përfundon ministrja.

Qendrat Shëndetësore verore janë të hapura 24 orë në 7 ditë. Koçiu u shpreh se duhet punuar intensivisht dhe me fushatat sensibilizuese, për të njohur qytetarë rreziqet dhe si mund të përballojnë pa probleme temperaturat e larta. Mjekja Gresi Osmani, duke komunikuar me ministren u shpreh se gjatë muajit qershor ka patur mbi 20 vizita, teksa shtoi se për rastet më të ndërlikuara, pacienti këshillohet të shkojë tek qendra spitalore e qytetit.

Turistëve vendas e të huaj në të gjithë vendin iu ofrohet shërbim në 34 qendra shëndetësore verore. Qendrat shëndetësore janë të hapura nga 1 qershori deri në 30 shtator dhe janë të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil. Qendrat e reja verore, që janë çelur për herë të parë në 2024-ën janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë.

Në veri të vendit, funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera. Urgjenca ka vendosur në dispozicion të pushuesve 20 postacione fikse me autoambulanca në zonat turistike. Ndërsa për herë të parë shërbejnë në këtë sezon motoambulancat./ata