Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, në një postim në rrjetet sociale ka ndarë pamje nga qendra shëndetësore verore e Pogradecit.
Ministrja Koçiu, ka theksuar se qendrat shëndetësore verore në zonat turistike nga veriu në jug të vendit ofrojnë shërbime shëndetësore për pushuesit dhe turistët e huaj gjatë gjithë sezonit turistik.
Në videon e publikuar nga ministrja Koçiu, mjekja Greis Osmani dhe infermieri Siger Fashor rrëfejnë angazhimin e tyre.
“Unë jam doktoreshë Greis Osmani. Këtë vit aplikova në maj në portalin “Mjekë për Shqipërinë”. Jam duke shërbyer në qendrën shëndetësore verore në Pogradec”, thotë mjekja Osmani.
“Unë jam Siger Fasho, jam infermier. U përzgjodha në muajin maj tek portali “Infermierë për Shqipërinë”. Sot jap kontributin tim në qendrën shëndetësore verore Pogradec”, u shpreh infermieri Fasho.
Turistëve vendas e të huaj në të gjithë vendin iu ofrohet shërbim në 34 qendra shëndetësore verore. Qendrat shëndetësore janë të hapura nga 1 qershori deri në 30 shtator dhe janë të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil. Qendrat e reja verore, që janë çelur për herë të parë në 2024-ën janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë.
Në veri të vendit, funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera. Urgjenca ka vendosur në dispozicion të pushuesve 20 postacione fikse me autoambulanca në zonat turistike. Ndërsa për herë të parë shërbejnë në këtë sezon motoambulancat./ata