Pas takimit me drejtuesit politikë të jugut ditën e djeshme në qytetin e Vlorës, kryetari i demokratëve euroatlantistë, Lulzim Basha ka mbledhur strukturat e larta të demokratëve euroatlantikë të PD të Tiranës dhe veriut.
Takimet janë zhvilluar në kuadrin e organizimit të strukturave për vijimin me shpalosjen e programit dhe ekipit në gjithë Shqipërinë, aktivitete për të cilat Basha ka këmbëngulur se nuk do të pengohen nga padrejtësia e pësuar në 11 qershor, pasi sipas tij, alternativa që qytetarët presin do të jetë pjesë e zgjedhjeve.
“Pazari i 11 qershorit ishte një padrejtësi, pjesë e pazarit të Ramës dhe Berishës të nisur me amnistinë, asgjesimin e Reformës Zgjedhore, në një aleancë të errët kundër SPAK, për hallet e përbashkëta me drejtësinë. Ata kanë frikë nga fillimi i fundit i pandëshkueshmërisë, prandaj bëjnë çdo gjë për të na penguar, sepse vetëm duke mbajtur në këmbë njëri-tjetrin, mbajnë në këmbë sistemin që ndërtuan bashkë në 2008-ën, të qepur sipas interesave të tyre dhe klientelës së tyre. Po iku Berisha, ikën Rama, po iku Rama, ikën dhe kasta e shushunjave me interesa ekonomike korruptive, që kanë asfiksuar sipërmarrjen e ndershme dhe familjet shqiptare”, u shpreh Basha.
“Ne, – vijoi Basha, – nuk ndalemi as nuk tërhiqemi nga misioni ynë për t’u dhënë shqiptarëve alternativën dhe ekipin që do të sjellë shpresë dhe ndryshim për vendin. Kemi programin më të mirë, kemi njerëz të vlerave, kemi struktura anembanë vendit, gati për fushatë, prandaj ta intensifikojmë punën pa humbur asnjë moment, për të shpalosur alternativën e vetme që kanë sot shqiptarët.”
Basha shprehu besimin se drejtësia do të bëjë drejtësi.
“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi deri në hallkën e fundit të drejtësisë europiane. Ne nuk do të pranojmë padrejtësinë e cila nuk duhet të jetë më normë në këtë vend e përmes sa të mbahet peng Shqipëria. Në çdo rast, ne jemi gati dhe do t’u japim shqiptarëve mundësi të zgjedhin ndryshimin, të zgjedhin një alternativë që nuk ka lidhje me korrupsionin e Ramës dhe kaosin e nxitur prej hallit personal të Berishës. T’u japim shqiptarëve mundësi të ndahen nga e shkuara, sepse e shohim përditë e më shumë se shumica dërrmuese e qytetarëve e dinë se Shqipëria meriton më shumë se loja mes Ramës dhe Berishës, që po mban peng vendin”, tha Basha./ata