Në maj të vitit 1924 në Shqipëri Fan Noli, së bashku me Bajram Currin dhe Luigj Gurakuqin, nisi një kryengritje, e cila është njohur në histori si “Revolucioni i Qershorit”.
100 vjet pas kësaj kryengritje, gazeta Liberale.al zhvilloi një bisedë me studiuesin Ilir Ikonomi për të mësuar më shumë detaje rreth të pathënave që shoqëruan veçanërisht një ngjarje të tillë, e cila për më shumë se katër dekada, arriti të prodhojë një ndarje klasike ideologjike rreth dy figurave të rëndësishme kombëtare: Fan Noli dhe Ahmet Zogu. Një ndarje kjo që vazhdoi gjatë, edhe pas shembjes së diktaturës komuniste në Shqipëri.
Shqipëria për 46 vjet prodhoi një ndarje klasike ideologjike rreth dy figurave të rëndësishme kombëtare: Fan Noli dhe Ahmet Zogu. Ky i fundit dhe regjimi i tij u shndërruan në personazhe negative, ndërsa Noli dhe revolucioni i tij morën vlerësime pozitive. Ajo çfarë duam të dimë është, duke qenë se keni pasur mundësinë për të hulumtuar dokumente të reja arkivore dhe keni mundësinë për të dhënë një vlerësim më realist për ngjarjen, cili është gjykimi juaj në lidhje me të ashtuquajturin “Revolucion i Qershorit”?
Gjatë komunizmit është folur shumë për “revolucionin e qershorit” si një dukuri që rezultoi transformuese për shoqërinë shqiptare. Ky deduksion nuk përputhet me të vërtetën. Po e shpjegoj më qartë: Ajo që ndodhi në qershor të vitit 1924, shënoi fillimin e një periudhe gjashtëmujore, gjatë së cilës qeveria e Fan Nolit shpalli një program reformash që përfshinte mes të tjerash “çrrënjosjen e feudalizmit, çlirimin e popullit dhe vendosjen definitive të demokracisë në Shqipëri”. Veç kësaj, programi parashikonte “reformë radikale të të gjitha degëve të administratës civile e ushtarake” dhe sidomos “reformë radikale të kanuneve gjyqësore të vjetruara”. Këto ishin ideale progresive për një shoqëri që kishte ngecur në feudalizëm, ishin një fillim i mirë. Për fat të keq, qeveria nuk arriti as t’i fillonte këto reforma. Nuk pati “çrrënjosje të feudalizmit” dhe as “vendosje të demokracisë”. Qeveria nuk bëri dot reformë agrare, sepse sipas meje, ajo nuk kishte një ide të qartë se si do të bëhej shpronësimi, kush duhet të shpronësohej dhe si do të reformohej “pronësia e dherave”, ndërkohë që një pjesë e atyre pronarëve ishin brenda administratës së Nolit. Nuk pati as “vendosje të demokracisë”, sepse pushteti që u instalua në Tiranë ishte në thelb i paligjshëm, nuk erdhi me anë të votës. Për komunizmin, metoda e marrjes së pushtetit me dhunë dhe mbajtja e tij jo me votë të lirë ishte metoda e preferuar. Kështu shpjegohet që gjatë regjimit komunist “revolucionit të qershorit” iu dha vula e miratimit.
Noli dhe bashkëpunëtorët e tij flasin për “kryengritje popullore”, term që përdoret edhe në fillimin e programit zyrtar të qeverisë së tij, por shumica e studiuesve shqiptarë nuk janë në unison sa i përket kësaj periudhe, duke e bërë atë një nga ngjarjet më të diskutueshme në debatet historike. Realisht, sipas jush, çfarë ishte në të vërtetë ajo ngjarje: Revolucion apo “Grusht Shteti”?
Kur themi revolucion, zakonisht kuptojmë një përmbysje rrënjësore në shoqëri – rrëzohet një sistem idesh apo një strukturë e caktuar sociale dhe vendoset një tjetër; nuk është një ndryshim i thjeshtë pushteti me dhunë. I tillë ishte revolucioni francez që rrëzoi sistemin e monarkisë absolute, pra brenda një viti e gjysmë u çrrënjosën institucionet e vjetra që sundonin prej shekujsh, siç ishin monarkia dhe feudalizmi. Revolucioni bolshevik në Rusi në vitin 1917 solli gjithashtu një transformim rrënjësor të marrëdhënieve të pronës si dhe një sistem të ri social: socializmin dhe komunizmin. Gjatë komunizmit në Shqipëri ekzistonte prirja që rebelimit të qershorit 1924 t’i visheshin tiparet e një revolucioni demokratiko-borgjez. U shpik ky term për ta paraqitur atë si një formë të mirë (demokratike) dhe të pëlqyeshme të marrjes së dhunshme të pushtetit, të ngjashëm me revolucionin sovjetik, por me elementë borgjezë (diçka jo e pëlqyeshme për ta), pra që nuk arrinte në nivelin e asaj që kishin bërë komunistët në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Mendoj se në qershor 1924 ndodhi thjesht një grusht shteti, përmbysja e një pushteti të zgjedhur me votë dhe vendosja e një qeverie të re të opozitës liberale, e cila përpara rebelimit nuk kishte qenë në gjendje të formonte një kabinet qeveritar me mjete demokratike, sepse nuk i kishte votat në Asamblenë Kushtetuese. Duhet të kemi parasysh se kjo Asamble u zgjodh me votë relativisht të lirë në zgjedhjet e zhvilluara në fund të vitit 1923, ku liberalët e Nolit mbetën në pakicë. As Noli dhe as liberalët e tij nuk kanë thënë se votimet nuk ishin të lira.
A mund të na tregoni se çfarë solli kjo ngjarje dhe sa rëndësi ka ajo për historinë e Shqipërisë?
Përmbysja që ndodhi në qershor 1924 nuk besoj se solli gjë tjetër përveçse e thelloi anarkinë sociale dhe ekonomike që ekzistonte në vend. U provua se qeverisja e re as që arriti ta prekë sistemin feudal agrar e jo më ta çrrënjosë. Megjithëse Noli dhe disa nga miqtë e tij liberalë dëshirat i kishin të mira, ajo nisi si një revoltë e pastudiuar dhe si një eksperiment social që nuk kishte një objekt të qartë për atë që duhej arritur.
Bashkimi politik i Fan Nolit me kryengritjen e qershorit i solli atij minuse në karrierën e vet politike?
Në tërësi, ajo e kualifikoi Nolin si një politikan të dobët. Ai shkoi në Shqipëri me një sërë arritjesh në Amerikë, si themelues i Kishës Shqipe në Boston, një novacion i rëndësishëm i tij. Veç kësaj, ai kishte arritur disa suksese në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë – kishte dhënë kontribut për pranimin e Shqipërisë në Lidhje në dhjetor 1920 dhe kishte mbrojtur fort pozitat e vendit në debatet diplomatiko-juridike për kufijtë e Shqipërisë, duke hyrë në polemika fitimtare me homologët e tij serbë dhe grekë. Ky reputacion i mirë i tij i bënte shumë njerëz të besonin se Noli do të ishte një lojtar po aq i suksesshëm në politikë. Mendoj se ngjarjet e qershorit 1924 ia hoqën atij një pjesë të shkëlqimit të mëparshëm. Kjo mund të ishte edhe rrjedhojë e mosnjohjes së vendit e të popullit. Noli jetoi në Shqipëri gjithsej më pak se katër vjet (8 prill 1921 – 24 dhjetor 1924).
Fan Noli kishte një formim perëndimor dhe këtë e dëshmon me veprat e tij, me fjalimet në parlament (ligjërata mbi pesë anarkitë më 1923), me vetë programin e qeverisë së tij më 1924, por ajo çfarë duam të mësojmë apo edhe të kuptojmë është si e ushtroi ai pushtetin kur vërtet i ra në dorë?
Noli ishte një orator i shkëlqyer. Ai përdorte me shkathtësi metaforat, shprehjet latine dhe vargjet shekspiriane. Përdorte me sukses ironinë, si në rastin e ligjëratës mbi pesë anarkitë, ku vinte në lojë Zogun si “shakaxhiu i përparimit”, apo si Nastradini shqiptar, Till Eulenspiegel-i shqiptar. Një tjetër fjalim që do të mbahej mend ishte ai i shkurtit 1924 kushtuar presidentit amerikan Woodrow Wilson. Kundërshtarët në parlament e kuptonin se ai fitonte pikë me oratorinë e tij dhe përpiqeshin ta pengonin të mbante fjalime. Por pushteti ishte diçka tjetër, ku suksesi nuk matej me shkallën e oratorisë. Këtu mund të përmend një fakt: Zogu e pranonte vetë në parlament se nuk kishte aftësinë për të folur bukur, por kjo nuk nënkuptonte aspak se ai ishte i paaftë për të nuhatur situatat politike dhe për të goditur fort kur ishte nevoja. Edhe pse Noli u përpoq shumë në takimet e tij të bindte përfaqësitë diplomatike perëndimore në Tiranë që ta njihnin qeverinë e tij, askush nuk e njohu, përveç sovjetikëve. Noli mbajti një fjalim po aq të shkëlqyer në Lidhjen e Kombeve më 9 shtator 1924, ku u përpoq të bindë vendet anëtare për ta ndihmuar Shqipërinë me kredi. E megjithatë, fjalimi i tij aq i rrallë për nga oratoria edhe pse tërhoqi vëmendjen e madhe të shtypit botëror, nuk i solli asgjë qeverisjes së tij.
Qeveria e Nolit, a ka qenë një qeverisje demokratike?
Nuk shikoj ndonjë element veçanërisht demokratik në qeverisjen e Nolit. Ai u përball qysh në fillim me një mal problemesh që kërkonin zgjidhje me mjete radikale. Ministria e tij e brendshme u tregua po aq e pamëshirshme ndaj kundërshtarëve politikë sa edhe ajo paraardhëse. Shumë shpejt, Noli mori edhe detyrën e regjentit, meqenëse Sotir Peci, anëtari i vetëm i Regjencës që kishte mbetur nga katër të tillë, u desh të shkonte jashtë vendit “për kurim”. Peci kishte shprehur hapur mospëlqim për zgjedhjen e Nolit kryeministër. Ndërkaq, Asambleja Kushtetuese që luante edhe rolin e parlamentit, nuk mund të mblidhej, sepse shumica e anëtarëve kishin ikur dhe nuk formohej dot quorumi. Duhej pra të mbaheshin zgjedhje të reja parlamentare, të cilat qeveria i shtyu për në vitin 1925. Në këto kushte qeverisja bëhej me dekrete. Siç shihet, nuk mbetej shumë hapësirë për një qeverisje demokratike.
A ishte e parakohshme figura e Fan Nolit për të qeverisur një vend me prapambetje të thellë?
Noli kishte ide të mëdha, ide përparimtare, ide amerikane që dëshironte t’i aplikonte në Shqipërinë e prapambetur feudale. Mendoj se Shqipëria e asaj kohe nuk ishte e pjekur për reforma si ato që donte të sillte Noli. Ai ishte vërtet një njeri me dëshira të mira. Mirëpo liderët nuk dallohen nga fakti se sa të përparuar janë në idetë e tyre, por se sa me sukses mund t’i zbatojnë ato ide në kushtet e vendit. Pra, faji nuk duhet t’i hidhet më tepër prapambetjes së rrethanave se sa defekteve të liderit. Për ironi, Noli e ka përshkruar kështu veten e tij në detin e prapambetjes së shoqërisë shqiptare të kohës: “Tepër mistik në një vend pa fe, tepër letrar në një vend që s’këndon.” Ai pranon tërthorazi faktin që ishte i shkëputur nga realiteti.
Ngjarjet e qershorit të vitit 1924, sipash jush, vërtet ishin një luftë e popullit kundër “tiranëve”?
Ato u paraqitën si një luftë e tillë nga e majta e asaj kohe. Në fakt filluan si një luftë e tillë me revoltën që nisi në muajin maj, menjëherë pas varrimit të Avni Rustemit. Kjo luftë nisi si një urrejtje e verbër, e nxitur nga opozita. Objektiv i saj ishte Ahmet Zogu, edhe pse nuk ishte e provuar se vrasësi i Rustemit, Jusuf Reçi, ishte i shtyrë nga Zogu. Që këtu fillonte anomalia – me një akuzë fare të paprovuar. Populli i revoltuar kishte në mend dy-tre “tiranë” të tillë që ishin Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Ilias Vrioni (ose Vrionët në përgjithësi) si dhe të tjerë pronarë lokalë tokash. Mirëpo këta “tiranë” ishin njerëz të zgjedhur me votë të lirë në dhjetor 1923. Mendoj se problemi i prapambetjes së Shqipërisë kishte nevojë për një zgjidhje graduale. Asambleja Kushtetuese duhet të lejohej të çonte deri në fund detyrat e saj: të hartonte kushtetutën e përhershme dhe të vendoste kryeqytetin, pastaj të shpërndahej dhe të zgjidhej parlamenti i ri, siç kishte qenë vendosur. Përkundrazi, opozita i nxiti artificialisht ngjarjet, për shembull duke kërkuar me një ultimatum më 25 shkurt përjashtimin e Zogut nga çdo kabinet qeveritar. Dashje pa dashje, ajo u bë pjesë e revoltës popullore për të rrëzuar me dhunë qeverinë, duke hyrë në një rrugë pa krye.
Nëse në vend të Ahmet Zogut do të kishte qeverisur Noli, Shqipëria do të ishte më e mirë apo më e keqe?
Edhe pse kjo është një pyetje hipotetike, po përpiqem të jap një mendim. Në janar 1922, Nolit iu dha posti i ministrit të jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit, ku Zogu ishte ministër i brendshëm dhe de facto kryeministër. Noli nuk e mbajti postin as dy muaj dhe dha dorëheqjen në fillim të marsit kur ndodhej në Romë me pretekstin se ishte i sëmurë. Arsyeja e vërtetë ishte se ai nuk mund të punonte dot me Ypin, siç do të deklaronte më vonë. Në atë kohë, marrëdhëniet e tij me Zogun ishin të mira, madje kishte qenë Zogu që e kishte bindur të bëhej ministër i jashtëm. Siç shihet, Noli donte të merrej me politikë, por nuk punonte dot me njerëzit që e rrethonin. Ai vazhdoi të qëndronte në Romë për muaj të tërë, edhe pse në Shqipëri kishin ndodhur dy rebelime të rrezikshëm që u shtypën vetëm në sajë të aftësive të Zogut. Më vonë Noli do të kritikohej në parlament se preferoi të jepte dorëheqjen dhe të rrinte në Itali në një kohë kur shteti i ri po kalonte nëpër rreziqe të mëdha. Siç mund të shihet, këtu kemi të bëjmë me një problem lidershipi: Noli që preferoi të jepte dorëheqjen për arsye personale dhe Zogu që i doli përpara rrezikut duke shtypur dy rebelime njëherësh. Këto janë episode që flasin shumë për cilësitë udhëheqëse të njërit e të tjetrit lider./ Liberale.al