Më shumë se sa prodhimin vendas, zgjerimi i turizmit po shton importet nga jashtë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në pesë muajt e parë të vitit u blenë nga jashtë 35.5 tonë zarzavate, 48.5 për qind më tepër se në janar-maj 2023.

Kjo në një kohë që sezoni i prodhimit bujqësor është në kulmin e tij, ku përveç serrave, tani kanë nisur edhe vjeljet në fusha. “Kapacitetet janë, por nuk janë mundësitë. Çfarë do të thotë kjo. Ne nuk jemi kompetitive. Në gjithë shtetet e botës, bujqësia subvencionohet, Ku më shumë e ku më pak, por gjithmonë më shumë se sa Shqipëria”, thotë për A2 CNN Theodhor Kristuli, kryetar i Unionit Agroushqimor.

Edhe më e fortë rezulton rritja e importeve në vlerë. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në harkun e muajve janar-maj këtë vit u importuan zarzavate me vlerë mbi 23 milionë euro nga rreth 14 milionë euro në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. Zgjerimi përllogaritet në 65 për qind.

“Duke parë edhe pjesën e turizmit që po na rritet goxha, do të ishte një gjë e mirë për ne sikur të ktheheshin pak sytë te bujqësia. Do ndihmonte ekonominë, fermerët, pra të gjithë ne”, thotë Kristuli.

Ndërkohë rritja e kërkesës për konsum nga të huaj, për shkak të prodhimit të dobët vendas po ushtron presion mbi çmimet e produkteve. Kryesisht bulmeti, por edhe zarzavatet e prodhuara në vend u shtrenjtuar mesatarisht me 15 për qind vetëm gjatë vitit të shkuar./Tema