Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kryetarin e Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Petrit Ahmeti, lidhur me raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2023.
Ahmeti tha se, “prodhimi total neto vendas i energjisë elektrike i realizuar për vitin 2023 është 8,795,637 MWh, ose 30 % më i lartë se mesatarja e prodhimit te energjisë elektrike për periudhën 2009 – 2023. Ku 58.3 % e prodhimit të energjisë elektrike është realizuar nga KESH sh.a. dhe 41.7% nga prodhuesit e tjerë”.
Bazuar në të dhënat e raportuara, ai e cilësoi 2023 një vit të mirë hidrologjik nga pikëpamja e prodhimit të energjisë elektrike, ku u realizua sasia 8796 GWh, pra 2026 GWh më shumë se prodhimi mesatar i energjisë elektrike në periudhën 2009 – 2023.
Ahmeti informoi se vitin e kaluar u shënuan ulje të nivelit të humbjeve në rrjet dhe rritje e arkëtimit të faturimit të energjisë elektrike.
“Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes të raportuara nga OSHEE Group
përgjatë vitit 2023 janë 18.93 %, me një diferencë prej 0.7 % më të ulta se targeti i vendosur në VKM-në. Ndërsa niveli total i arkëtimeve për vitin 2023 është 99.4 % kundrejt energjisë elektrike të faturuar. Ky nivel arkëtimesh për vitin 2023 rezulton me rritje, krahasuar me vitin 2022 që ishte 98%”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te konsumi i energjisë elektrike, Ahmeti bëri të ditur se, konsumi total i energjisë elektrike i realizuar për vitin 2023 rezulton 7,875,861 MWh. Ulja e konsumit të energjisë elektrike total në vend për vitin 2023, krahasuar me konsumin maksimal për vitin 2021, shkon në rreth 6.4 %.
Sipas tij, numri i përgjithshëm i klientëve për vitin 2023 është 1,334,091 ku 77.1% e zënë klientët familjarë dhe pjesa më e madhe është në Tiranë, me rreth 27.4 % të të gjithë klientëve që ka FSHU sh.a.
Ahmeti e konsideroi hap shumë të rëndësishëm krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).
“Volumi total i tregtuar në bursë për vitin 2023 rezulton të jetë 827,541 MWh dhe çmimi mesatar i arritur nga ALPEX sh.a. rezulton të jetë 106.5 Eur/MWh”, tha ai.
Kreu i ERE u ndal edhe në kujdesin ndaj konsumatorit për zgjidhjen e ankesave apo kërkesave të tyre. Sipas tij, përgjatë vitit 2023 rezultojnë 99 ankesa dhe 65 kërkesa për orientim apo informacion në lidhje me trajtimin e një çështje apo adresimin e një shqetësimit të konsumatorëve.
Ahmeti deklaroi se, “pavarësisht performancës pozitive të sektorit të energjisë, përfshirë dhe sektorin e gazit natyror për vitin 2023, ku një rol të veçantë ka pasur dhe përgatitja e legjislacionit sekondar dhe rregullator, vlen të theksohet se ndër fushat të cilat do të jenë objektiv kryesor i punës së ERE-s për vitin në vijim është monitorimi i tregut të energjisë si dhe rishikimi e miratimi i akteve rregullatore për të pasur një zhvillim të mëtejshëm të këtij tregu në vendin tonë”./ata