Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi u shpreh sot se masat e sigurisë ndaj zyrtarëve dhe mjekëve të QSUT-së, janë vetëm një hap i vogël, krejt i pamjaftueshëm dhe i vonuar, që nuk prek as nuk e ç’rrënjos korrupsionin malinj në shëndetësi.

Përmes një deklarate për shtyp, Vokshi u shpreh se “prova që vjen nga Spitali Onkologjik është dëshmia se qeveria, edhe ‘tenderin e kancerit’ e ka përvetësuar për qëllime të pastra fitimi”.

“Të marrësh nga shteti, t’i shesësh te privati ilaçet e kimioterapisë, që janë vija e fundit mes jetës dhe vdekjes të shqiptarëve të sëmurë, është makabre. Partia Demokratike u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, të mos hetojnë majën e ajsbergut, por zemrën e korruptuar të sistemit”, tha Vokshi.

“Orientimi i pacientëve me tumore drejt privatit, pasi i kanë shitur po privatit ilaçe anti-tumorale, për të cilat qytetarët kanë paguar një herë taksat, është fytyra e shëmtuar e një sistemi shëndetësor që ngriti Edi Rama me ministrat e tij ‘kampionë të korrupsionit’”, theksoi ajo.

Po ashtu, Vokshi tha se “premtimi për mjekësi falas është mashtrimi më i madh i Edi Ramës për qytetarët”.

“Realiteti është ky: zyrtarët e administratës dhe mjekët patronazhsitë i sorollasin pacientët me sëmundje terminale nga një spital në tjetrin. U pakësojnë dozat, duke u zgjatur agoninë. U marrin lekët, para se t’u marrin shpirtin. Alarmi i ngritur vazhdimisht, vit pas viti, muaji pas muaji dhe javë pas jave nga Partia Demokratike, ka rënë në vesh të shurdhër të qeverisë, prokurorisë dhe SPAK-ut”, tha ajo./ata