Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu”.
Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit Almira Xhambulla tha se, “projektligji propozon ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH, për zbatimin e këtij projekti, nëpërmjet akordimit të një financim, në shumën 75 500 000 euro”.
Sipas saj, qëllimi i projektligjit është të reduktojë ndotjen nga burimet tokësore në mjedisin ujor në zona të përzgjedhura të brezit bregdetar jugperëndimor të Shqipërisë.
Xhambulla tha se, objektivat që projekti synon të arrijë lidhen me promovimin e qasjeve të integruara qarkulluese për mbrojtjen e peizazheve dhe burimeve ujore, uljen e ndotjes së ujit në lumin Vjosë dhe zgjerimin e infrastrukturës sanitare.
Relatori i çështjes Ilir Ndraxhi, u shpreh se të gjitha ndërhyrjet me ndihmën e projektit parashikohen të kontribuojnë pozitivisht në rritjen ekonomike të rajonit, duke pasuruar peizazhet piktoreske, duke zhvilluar më shumë turizmin, duke rritur punësimin dhe duke sjellë potencialisht më shumë të ardhura për komunitetet e zonës.
Projekti do të ketë impakt pozitiv në mjedis në terma afatgjatë, sepse synon përmirësimin e shërbimeve publike bashkiake nëpërmjet menaxhimit të kontrolluar dhe të qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta bashkiake dhe ujërave të ndotura.
Shqipëria po përmirëson kuadrin ligjor për menaxhimin e mbetjeve, duke e përafruar me atë të BE-së. Plani i Ri Kombëtar i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2020–2035 synon të përfshijë parimet e ekonomisë qarkulluese në sistemin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve. Prandaj, fokusi në reduktimin e ndotjes dhe masat parandaluese do të përfshijnë investime në infrastrukturën gri dhe të gjelbër, si dhe në kapitalin njerëzor për ndryshimin e sjelljes.
Pas diskutimeve, komenteve e sugjerimeve të ndryshme, anëtarë e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Po ashtu, komisioni shqyrtoi draftrezolutën për Veprimtarinë e Entit Rregullator të Energjisë (ERE), për vitin 2023.
Relatorja Edona Bilali, paraqiti para anëtarëve të komisionit rekomandimet qe Kuvendi i Shqipërisë i lë institucionit të ERE. Pas diskutimeve, kjo draftrezolutë u miratua nga anëtarët e komisionit, dhe do i përcillet seancës plenare për votim./ata