Shqiptarët janë më të pasur se vjet, por kanë edhe më shumë borxhe për të paguar.

Kjo nëse përllogarisim shifrat e nxjerra nga CENS-i i 2023-shit, me 420 mijë banorë më pak se në 2011 me Prodhimin Kombëtar të Shqipërisë dhe borxhin publik aktual.

“Aq sa janë rritur të ardhurat po aq janë rritur edhe ato që duhet të paguajnë taksapaguesit në vit, dhe nëse llogarisim edhe kontratat koncesionare, rritet  barra”, shprehet eksperti Eduart Gjokutaj.Deri vitin e kaluar të ardhurat për frymë të shqiptarëve përllogariteshin në afro 800 mijë lekë pasi si referencë ishte marrë një numër më i lartë popullsie, por me pakësimin e banorëve kjo vlerë rritet automatikisht. Nëse e përpjesëtojmë GDP-në e vendit prej 2 trilionë e 434 miliardë lekë me 2.4 milionë banor, rezulton se të ardhurat për frymë përllogariten në 1.1 milionë lekë.

E njëjta gjë ndodh edhe me borxhin, por eksperti Eduart Gjokutaj shpjegon se kostoja e borxhit është më e vështirë për t’u matur për shkak të ekspozimit ndaj kursit të këmbimit dhe të interesave që janë rritur në vitet e fundit.

“Kostoja e borxhit që rritet çdo vit, pasi edhe pse në dukje kemi një borxh më të ulët, po paguhet më shumë për shkak se është ekspozuar ndaj rritjes së interesave. Shqipëria nuk e ka të gjithë borxhin në monedhën vendase duke e ekspozuar karshi interesave në vend ndërkombëtare ku e ka marrë, sepse është bërë më i shtrenjtë”, thotë eksperti.

Nëse deri në vitin 2023 borxhi për frymë përllogaritej në 491 mijë lekë, sot me një borxh prej 1 trilionë e 356 miliardë lekë, rezulton që çdo qytetarë pavarësisht moshës e gjinisë ka 615 mijë lekë mbi supe.

Të ardhurat për frymë  

GDP                          2,434,311 mln lekë

Numri i Popullsisë       2,204,113 banorë 

GDP/BANOR                 1,104,440 lekë

Borxhi për frymë  

Borxhi Publik           1,356,489 mln lekë

Numri i Popullsisë       2,204,113 banorë

Borxhi/Banor                  615,435 lekë
/Shqiptarja