Zëvendësministrat Dhimitër Kote dhe Arjan Jaupllari prezantuan në Durrës, në një takim me fermerë dhe sipërmarës të bujqësisë në qarkun Durrës, Skemën Kombëtare të Investimeve në fermë dhe akuakulturë 2024.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe kryetari i bashkisë të Shijakut, Elton Arbana si dhe të ftuar të tjerë të linjës.
Gjatë takimit u prezantuan kriteret e aplikimit dhe masat mbështetëse të skemës që përfshijnë ndërtimin e serrave të reja, instalimin e rrjetave antibreshër, ndërtimin e stallave, mekanizimin e sektorit të bujqësisë, si dhe rrjetave të peshkimit për akuakulturë.
Në takim u vu theksi në faktin se, Skema Kombëtare e Investimeve për fermerët është si një mundësi e re për të investuar në ferma dhe akuakulturë, për të rritur aktivitetin prodhues dhe cilësinë e produkteve made in Albania.
Fondi në dispozicion është 1.5 miliardë lekë dhe do të shpërndahet në formën e një granti prej 50 % për investimet kryesore në veçanti në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.
Aplikimet janë të hapura deri në datën 8 nëntor 2024./ata