Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, ka mbajtur tryezë me temë "Shëndeti mendor, sfidat dhe arritjet".
Në këtë tryezë morën pjesë anëtarë të komisionit, përfaqësues të institucioneve shëndetësore në vend, Avokati i Popullit, doktorë, përfaqësues të shoqërisë civile. Neuropsikiatri Jusuf Ulaj tha se në Kosovë ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve të infrastrukturës në këtë aspekt, sidomos në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe në renovimin e objekteve.
Ai tha se standardi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) është që për 10 mijë banorë të jetë një psikiatër ndërsa Kosova akoma nuk e ka arritur gjysmën e këtij standardi. Sipas Ulajt, një tjetër nevojë e madhe në aspektin e trajtimit të sëmundjeve mendore në vend është edhe ajo për ndërtimin e një qendre për trajtimin e sëmundjeve të varësisë, marrë parasysh numrin e përdoruesve të drogërave në vend.
"Kemi nevojë të jashtëzakonshme për ndërtimin e një qendre për trajtimin e sëmundjeve të varësisë, me qenë se numri i njerëzve që abuzojnë me drogëra në Kosovë është mjaft i lartë dhe është në vazhdimësi rritja e rasteve të cilët quhen problematik, që kanë edhe çrregullime serioze të shëndetit mendor, për shkak të abuzimit me drogëra”, theksoi Ulaj.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, duke folur para anëtarëve të komisionit, tha se ministria i ka kushtuar rëndësi të veçantë reformës bashkëkohore dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore në tre nivele të institucioneve shëndetësore.
Ajo tha se që nga fazat e hershme të jetës, çdo individi i ofrohen shërbime të shëndetit mendor përmes Mjekësisë Familjare, sipas vendbanimit.
"Tek niveli dytësor dhe tretësor është i organizuar në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe është përgjegjës për diagnostikim, trajtim, rehabilitim dhe risocializimin e klientëve me çrregullime të shëndetit mendor”, theksoi Gexha-Bunjaku.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se kanë identifikuar disa mangësi në institucionet e vendit lidhur me trajtimin e sëmundjeve mendore, si: mungesa e shtretërve në psikiatri për hospitalizimin e fëmijëve deri 18 vjeç, ndërtimi i një reparti për trajtimin e sëmundjeve të varësisë, mungesa e punëtorëve social, mungesa e trajnimeve për personel të sigurimit lidhur me natyrën e punës së institucionit psikiatrik, e të tjera./aa