Pas përfundimit të rrugëtimit në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë, përgëzoi lojtarët e kombëtares shqiptare për performancën e tyre.

Edhe pse ata nuk arritën të kualifikoheshin për fazën e dytë, atë të 1/16, kombëtarja shqiptare vendosi rekordin për golin më të shpejtë.

“Bravo të gjithë lojëtarëve shqiptarë për paraqitjet e tyre gjatë Euro 2024. Na vjen keq që nuk do t’ju shohim më në këtë kompeticion, por rekordi i thyer për golin më të shpejtë do të jetë vështirë për t’u mposhtur! Ju lumtë!”, thuhet në mesazhin drejtuar kombëtares shqiptare.

Rrugëtimi dinjitoz i Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” u mbyll mbrëmjen e djeshme në “Dusseldorf Arena”, pas disfatës minimale në ndeshjen e fundit të grupit B ndaj Spanjës.

Kuqezinjtë u përballën denjësisht me kundërshtarë të nivelit të lartë si Italia, Kroacia e Spanja dhe luftuan deri në fund për t’u kualifikuar në raundin e 1/16-ave të Kampionatit Europian.

Ky rrugëtim u mbyll me një barazim ndaj Kroacisë dhe dy humbje, ndaj Italisë dhe Spanjës./ata