Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nuk ka pranuar sot kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për zhvillimin e një mocioni me debat mbi situatën e sigurisë në vend.
Në kërkesën dërguar Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Bardhi theksonte ndër të tjera se, “kërkoj zhvillimin e një mocioni me debat mbi lidhjet e politikës me krimin dhe masat që duhen ndërmarrë për shkëputjen përfundimtare të këtyre marrëdhënieve, që po minojnë demokracinë dhe vendosin në rrezik stabilitetin e vendit”.
Gjithashtu debat pati edhe lidhur me kërkesën e grupit të PD për të përfshirë Sali Berishën si pjesë të grupit parlamentar të PD.
Kryetarja e Kuvendit nuk lexoi emrin e Berishës pjesë e grupit të PD.
Bardhi kërkoi që Nikolla t’i lexojë të plota njoftimet e grupit të PD-së.
“E dini fare që në atë njoftim që keni bërë që aty ka një rast, i cili është përjashtuar nga grupi parlamentar me vendim të PD-së dhe duhet të futet në grupin parlamentar po me vendim të PD-së”, tha Nikolla
Ndërsa deputeti i PD, Oerd Bylykbashi tha se, Berisha duhet të jetë pjesë e këtij grupi përndryshe vendimi juaj që bën palë në këtë histori edhe parlamentin është në shkelje të Kushtetutës”.
Pas tensioneve të krijuara në sallë ku deputeti i PD, Flamur Noka iu drejtua foltores dhe u ndalua nga Garda, kryetarja Nikolla vendosi 5 minuta pushim./ata