Në mbledhjen e parë të Komisionit të Posaçëm parlamentar për Dezinformimin, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, theksoi se ngritja e këtij komisioni s’ka të bëjë me luftën partiake.

“Vërtet është nga ato komisionet që nuk duhet parë si pjesë e luftës partiake mes mazhorancës dhe opozitës. Më vjen keq që kolegët e opozitës ende sot nuk kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur. Dezinformimi është një fenomen historik prej Egjiptit të lashtë dhe deri më sot, madje deri në atë pikë sa kanë deformuar fakte historike. Ajo që na ul sot në këtë komision është shqetësimi që ka bota perëndimore demokratike se ky fenomen mund të cenojë vlerat tona demokratike”, tha Çuçi.

Në vijim të fjalës së tij, Çuçi tha se dezinformimi sot është një shqetësim që lidhet më së shumti edhe me zhvillimin e teknologjisë e që bota demokratike duhet t’i përgjigjet siç duhet me vendosjen e rregullave.

“Besoj se ky komision është gjëja më e domosdoshme që parlamenti shqiptar duhet të bëjë një orë e më parë. S’duhet të ketë asnjë paranojë që ky komision do të ngrejë mazhorancën kundër lirisë së medias. Ne jemi këtu për të parë se si Shqiperia do t’i përgjigjet këtij shqetesimi”, tha ai.

“A kemi rregullat e duhura që ndalojnë dezinformimin dhe sigurisht për të parë ambientin që mund të tentojnë të depërtojnë vende jo mike të Shqipërisë, të cilët e kanë rritur vëmendjen ndaj Shqipërisë për qëndrimet tona pro perëndimore”, deklaroi Çuçi duke iu bërë thirrje kolegëve të opozites të marrin pjesë dhe të konsiderojnë rëndësinë e këtij komisioni. Siç tha ai, kjo është më e rëndësishme se sa për të siguruar një vend në listen e kandidatëve për deputetë./ata