Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot marrëveshjen me Bashkimin Europian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Drejtësisë.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, i cili mbrojti projektligjin në komision tha se programi ka objektiv të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të një zone evropiane të drejtësisë, bazuar në sundimin e ligjit, duke përfshirë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit në njohjen reciproke dhe besimin reciprok dhe në bashkëpunimin gjyqësor, duke forcuar kështu demokracinë, sundimin i ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore
Në fazën e pare 2016-2021, informoi ai, Shqipëria ka qenë një nga vendet që është konsideruar pjesëmarrës me të ardhura të mëdha nga ky proces, në të cilin nuk përfituan vetëm institucionet shtetërore, por ishte një mundësi e shkëlqyer për organizatat e shoqërisë civile, universitetet dhe entet e tjera për të përfituar. Këtu, ai solli shembullin e Universitetit të Tiranës, i cili gjatë fazës së parë ka marrë 71 mijë euro.
“Faza e dytë është një program që zgjat deri në vitin 2027 dhe i tërë buxheti është 305 milionë euro, i hapur në bazë konkurrimi për të gjitha entitet shqiptare me gjitha vendet e tjera. Fushat e ndryshme të programeve që mund të përfitojnë kanë të bëjnë më fuqizimin e barazisë gjinore pjesëmarrjes së publikut, etj. Ka kosto financiare rreth 33 mijë euro në vit, por që ne besojmë se është një vlerë që vlen duke marrë parasysh përfitimet”, tha ai.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se vendi ndodhet në një fazë ku fillon integrimi gradual dhe do të ketë akses në instrumente që nuk i kemi pasur më parë.
Ajo kërkoi ngritjen e një pike kordinimi për asistencë, apo trajnimin për aplikimin, pasi sipas saj një pjesë e madhe e institucioenve nuk aplikojnë pasi ka një procedurë të ngarkuar sipas standardeve të BE-së.
Tabaku theksoi se një pjesë e madhe e kryesisht pushteti vendor kanë paaftësi për të aplikuar, për të përfituar fonde.
Zëvendësministri Dobi shpjegoi se është një komitet në Bruksel që merret me vlerësimin e propozimeve nga vendet anëtare të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.
“Duke marrë parasysh nevojën për të përthithur sa më shumë burime pranë SASPAK agjencisë përgjegjës për koordinimin e ndihmës ekziston edhe mbështetja e nevojshme për të bërë aplikime për përthithjen e fondeve edhe në nivel institucional dhe për shoqërinë civile. Kemi një historik të mirë ku jo vetëm institucionet e arsimit të lartë por edhe disa qendra kanë qenë të afta të marrin fonde të mira, të cilat kanë formuar edhe një historik të mirë për punët përpara”, tha ai
Marrëveshja ka si qëllim zhvillimin e mëtejshëm të një zone evropiane të drejtësisë, bazuar në shtetin e së drejtës, pavarësinë dhe paanësinë e gjyqësorit, njohjen reciproke, besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin gjyqësor, duke forcuar kështu demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore të njeriut.
Programi ka objektivin e përgjithshëm të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të një zone evropiane të drejtësisë, bazuar në sundimin e ligjit, duke përfshirë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit në njohjen reciproke dhe besimin reciprok dhe në bashkëpunimin gjyqësor, duke forcuar kështu demokracinë, sundimin i ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Shqipëria synon të bëhet pjesë e programit të drejtësisë, duke qenë kështu kontributore dhe përfituese në aktivitetet që do të kryhen në kuadër të tij./ata