Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha sot se Shqipëria ka njohur progres në raportin global të hendekut gjinor duke u renditur në vendin e 17-të nga 146 vende.

I pranishëm në takimin “Gratë në Diplomaci”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave në Diplomaci, Hasani nënvizoi se gratë luajnë rol kyç në promovimin e interesave të politikës së jashtme të Shqipërisë. Sipas Hasanit, përparësi për Shqipërinë është eliminimi i të gjitha formave të diskriminimt ndaj grave dhe vajzave.

“Më lejoni të falënderoj të gjitha zonjat, koleget e nderuara për atë që ju bëni si diplomate, politikane dhe që jeni model në punë dhe në të gjithë përpjekjen tuaj për shumë e shumë nga ne. Kjo nisëm nuk është vetëm një kënaqësi për mua si ministër i Ministrisë së Evropës dhe Punëve të jashtme, por edhe një detyrim dhe angazhim serioz edhe për faktin se shumica e diplomatëve në Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme janë gra dhe vajza, 54.9% e të gjithë stafit”, tha Hasani në çelje të fjalës së tij.

“Rezoluta e asamblesë së OKB për përcaktimin e ditës kombëtare të gruas në diplomaci, synon nxitjen e pjesëmarrjes së grave në të gjitha nivelet e diplomacisë globale. Për Shqipërinë, fuqizimi i grave dhe progresi i arritur në kuadër të barazisë gjinore mbeten disa prej përparësive kryesore, jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime konkrete, duke siguruar pjesëmarrjen kuptimplotë në të gjitha nivelet të grave, kemi parë përfitime reale të një shoqërie që di të shfrytëzojë energjinë dhe krijimtarinë unike për të kontribuar në zhvillim dhe për të përparuar ndjeshëm në plane afatgjata”, vijoi Hasani.

Sipas tij, “gratë luajnë rol kyç në promovimin e interesave të politikës së jashtme të Shqipërisë. Puna e tyre diplomatike i ka mundësuar Shqipërisë të forcojë pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare duke nxitur barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut në çdo aspekt”.

“Si kryesuese e OSBE në 2020 dhe anëtare e këshillit të sigurimit të OKB për vitet 2022-2023, Shqipëria renditi në të dyja rastet i përparësi qasjen me bazë gjinore, duke sjell në vëmendje se paqja dhe siguria e qëndrueshme vjen përmes vijimit të axhendës “Gruaja, paqja dhe siguria”. Shqipëria është anëtare e grupit të politikës së jashtme feministe”, tha Hasani.

“Si rezultat i politikave të ndërmarra, renditja e Shqipërisë në raportin global të hendekut gjinor është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të konsiderueshme. Raporti global i hendekut gjinor i forumit ekonomik botëror për vititn 2023 e renditi Shqipërinë në vendin e 17 nga 146 vende”, nënvizoi Hasani.

Kryediplomati i Shqipërisë u shpreh se “aktualisht si anëtarë të këshillit të kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, një nga përparësitë tona është eliminimi i të gjitha formave të diskriminimt ndaj grave dhe vajzave. Vazhdojmë punojmë, për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave”, tha Hasani në fjalën e tij.

E pranishme në këtë takim ishte edhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë, Fiona Mc Cluney, e cila vlerësoi arritjet e Shqipërisë në forcimin e rolit të gruas në postet vendimmarrëse dhe jo vetëm.

“Shpreh mirënjohjen për të gjitha gratë që bëjnë maksimumin në emër të Shqipërisë. Kam patur mundësinë të flas me mjaft përfaqësuese të Shqipërisë në botë dhe ato janë në pozicione mjaft të rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare. Jam prezantuar me punën e madhe që bëjnë ato në vende të ndryshme të botës. Keni përfaqësuese mjaft dinjitoze në diplomacinë ndërkombëtare”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, theksoi se sa më shumë gra të ketë në vendimmarrje, në diplomaci apo në shërbime të ndryshme për vendin tonë, aq më mirë do të jetë e ardhmja për të gjithë.

“Kur bëhet fjalë për vendimmarrje nga pikëpamja, nëse nuk ndihmojmë gratë e tjera, asgjë nuk do të ndryshojë. Dhe kjo është diçka që ne duhet ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë edhe më mirë se dikush tjetër që mund të jetë në pozicionin tonë”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku, u shpreh se profesionistet e reja e kanë të vështirë rrugën e tyre drejt përfshirjes në fushën e politikës, teksa nënvizoi se nuk mund të ketë avancim pa mbështjen e tyre.

“Ndoshta për këtë arsye përfaqësimi politik sot nuk është në nivelin më të mirë. Por kam besim se nëse marrim parasysh këtë përfshirje të shumë e shumë grave në politikë dhe diplomaci, jam e sigurt se e ardhmja do të jetë më e ndritshme, më e mirë se sot”, deklaroi ajo.

Në fjalën e saj, ambasadorja e Francës e akredituar në Tiranë, Catherine Suard, u shpreh se mbrojtja e të drejtave të grave kudo në botë është një prioritet i qeverisë Franceze.

“Për ne, feminizmi është universializëm, prandaj diplomacia franceze është një diplomaci feminist. Franca është një nga vendet e para që ka inkurajuar gjithnjë e më shumë këtë aspekt”, tha ambasadorja Suard.

Takimi u përshëndet edhe nga Xavier Bettel, ish-kryeministër, aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme të Luksemburgut.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadoret e akredituara në Tiranë të vendeve të Rrjetit të Politikës së Jashtme Feministe, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Në takimin e zhvilluar sot morën pjesë, Fiona Mc Cluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë; Mimi Kodheli, Kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme; Jorida Tabaku,  Kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane, si dhe ambasadoret të akredituara në Tiranë të vendeve të Rrjetit të Politikës së Jashtme Feministe, ku bën pjesë edhe Shqipëria./ata