Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Strom, tha se rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave janë thelbësore për ndërmarrjen e politikave në dobi të qytetarëve.
Ambasadori Storm ishte i pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT) për publikimin e rezultateve të Censit të Popullsisë dhe banesave për vitin 2023. Procesi për të cilën dhe Suedia ka dhënë kontributin e saj.
“Jam krenar që Suedia dhe ambasada e saj këtu në Tiranë, kanë bashkëpunuar ngushtë me “INSTAT” për këtë proces. Suedia është partner për zhvillimin e Shqipërisë dhe kemi punuar për këtë projekt, duke bashkëfinancuar, duke kontribuar me 10% të buxhetit për censin. Kemi mbështetur për më shumë se 20 vite sistemin statistikor në Shqipëri”, tha Strom.
Diplomati suedez u shpreh se tashmë Shqipëria ka një panoramë të qartë të popullsisë dhe banesave në territorin e saj. Ai tha se këto të dhënat do të analizohen në mënyrë të detajuar për të nxitur politika në dobi të qytetarëve.
“Shqipëria do të ketë tablonë më të fundit të popullsisë prej 2011. Të dhënat janë shumë të rëndësishme, do të analizohen me hollësi dhe do të merren masat vijuese në muajt në vijim”, u shpreh Strom. Sipas tij, “hartimi i statistikave të besueshme është gur themeli për demokracinë, proces thelbësor për anëtarësimin në BE”.
Ai solli dhe shembullin e vendit të tij, ndërsa tha se statistikat në Suedi kanë ndikuar në forcimin e demokracisë dhe shërbimeve.
“Censi mund të sjellë ndryshim në jetët e njerëzve këtu. Ndikon jo vetë në ndërmarrjen e politikave, por edhe në ekonomi, biznes, pasi edhe kompanitë duke patur këto informacione, do të dinë më mirë ku të investojnë, dhe çfarë mund të investojnë. Kjo vlenë si për sipërmarrjet vendase, ashtu dhe të huaja”, tha Strom.
Diplomati suedez u shpreh optimist se digjitalizimi i shpejtë që po përjeton Shqipëria mund të ndihmojë në të ardhmen që të dhënat të mblidhen administrativisht online, pa patur një proces të kësaj natyre, ku janë përfshirë mbi 8000 punonjës.
Sipas statistikave të publikuara sot nga INSTAT, rezulton se ne Shqiperi numerohen 2.4 milione banore. Ky cens vlerësoi në territorin shqiptar në datë 18 shtator 2023, 2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme./ata