Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) kanë nisur një bashkëpunim të ri për të pasuruar dialogun shoqëror mbi të shkuarën dhe për të ndihmuar në konsolidimin e demokracisë në vend.

Në rrjetet sociale, AIDSSH thekson se, trashëgimia audiovizuale 86-vjeçare e RTSH-së dhe platforma mediatike me 28 kanale që mbulon 90% të territorit të Shqipërisë, ofrojnë një hapësirë të rëndësishme për këtë nismë.

Drejtori i RTSH-së, Alfred Peza, dhe kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula, kanë diskutuar për projektet konkrete që do të realizohen në kuadër të marrëveshjes së firmosur një muaj më parë. Marrëveshja synon përdorimin e arkivës filmike të RTSH-së dhe ballafaqimin e saj me dokumentet e arkivës së AIDSSH-së për të ndriçuar periudhën e regjimit diktatorial në Shqipëri.

Një nga projektet kryesore është programi televiziv “Kur xhirohej një film”, i cili përmes debateve dhe dokumenteve historike, do të analizojë prodhimet kinematografike të krijuara nën ndikimin e propagandës së regjimit. Drejtori i RTSH, Peza deklaroi: “Bashkëpunimi ynë nis me pasurimin e programacionit të të gjitha kanaleve me subjekte që lidhen me kujtesën dhe rishikimin e së shkuarës. Kjo përfshin mbështetjen për digjitalizimin e arkivave dhe fondit audiovizual, si dhe prodhimin e cikleve dokumentare apo specialeve televizive me histori dhe figura të së shkuarës.”

Nga ana tjetër, Sula e vlerësoi RTSH-në si një partner unik për potencialin e tij arkivor dhe rolin informativ dhe edukues. Ajo theksoi rëndësinë e mediatizimit të aktiviteteve të AIDSSH-së, si “Dosja e hapur” dhe “Klubi i Librit”, të cilat do të promovohen përmes programeve të përbashkëta në kanalin “RTSH Shkolla” dhe formateve të tjera mediatike.

Ky bashkëpunim synon të ndriçojë krimet dhe pasojat e diktaturës së proletariatit, të ridimensionojë personalitetet historike të stigmatizuara dhe të ndërgjegjësojë brezat e rinj përmes programeve televizive, dokudramave dhe serialeve që trajtojnë mekanizmat e ish-Sigurimit të Shtetit.

RTSH është partneri më i ri që i bashkohet numrit të institucioneve vendase dhe të huaja me të cilat AIDSSH bashkëpunon për të siguruar burime parësore autentike dhe për të rishikuar historinë në shërbim të njohjes së rinjve me të kaluarën./ata