Ministri libanez i Shëndetësisë, Firas Alabiad, ka bërë të ditur se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Liban që nga 8 tetori i vitit të kaluar është rritur në të paktën 1.974, me rreth 9.385 të tjerë të plagosur.
Në një konferencë për media në Bejrut, Alabiad tha se sulmi izraelit ka marrë jetën e 127 fëmijëve. Ai shtoi se sulmet ajrore izraelite gjithashtu kanë vrarë 40 punonjës të ekipeve mjekësore dhe të urgjencës, përveç dëmtimit të dhjetëra objekteve të kujdesit shëndetësor.
Megjithëse Izraeli nisi sulme të njëkohshme në Gaza dhe Liban, sulmet u intensifikuan pas 23 shtatorit pasi Tel Avivi pretendoi se po shënjestron vetëm objektivat e Hezbollahut në të gjithë Libanin dhe që atëherë më shumë se 1.100 njerëz u vranë nga sulmet izraelite.
Fushata ajrore shënoi një përshkallëzim të luftës ndërkufitare 1-vjeçare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës brutale të Tel Avivit ndaj Rripit të Gazës, ku që nga tetori i kaluar janë vrarë të paktën 41.800 palestinezë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund të përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale./aa