Ushtria izraelite njoftoi se një komandant i njësisë snajperiste mbeti i vrarë dhe 16 ushtarë u plagosën si pasojë e shpërthimit të dy bombave në qytetin Jenin, ku ushtria bastisi zonat në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se nga shpërthimi ka humbur jetën komandanti 22-vjeçar Alon Sacgiu nga njësia snajperiste në Brigadën Kfir. Në incidentin e njëjtë u raportua se 16 ushtarë izraelitë u plagosën, prej të cilëve një në gjendje të rëndë.

Në lajmin e gazetës "Yedioth Ahronoth" thuhet se një automjet ushtarak u shënjestrua me eksploziv në kampin e refugjatëve Jenin. Ushtria izraelite bastisi Jeninin dhe rrethinën e tij me qëllim "kapjen e të kërkuarve". Njësitë inxhinierike nuk arritën të zbulonin dy eksplozivë të groposur të paktën 1.5 metra thellë në tokë.

Bomba e parë shpërtheu teksa po kalonte një automjet i blinduar dhe ushtarët që ndodheshin brenda mbetën të plagosur lehtë, ndërsa shpërthimi i dytë u bë pasi ushtarët e tjerë izraelitë u afruan në këmbë për t'i ndihmuar.

Ushtari izraelit Sacgiu vdiq si pasojë e shpërthimit të eksplozivit të dytë të groposur në hyrje të kampit Jenin. Ushtria izraelite bastisi dje në mbrëmje lagjet përreth qytetit të Jeninit dhe kampit të refugjatëve në Jenin dhe arrestoi dy palestinezë.

Dëshmitarët okularë thanë se shpërthime dhe të shtëna armësh u dëgjuan në rajon gjatë bastisjes së ushtarëve izraelitë, të cilët dëmtuan shtëpitë dhe pronat e paluajtshme të palestinezëve në Jenin dhe shkatërruan infrastrukturën e qytetit./aa