Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmud Basal tha se në sulmin e ushtrise izraelite në lagjen Shujaiyye në lindje të qytetit të Gazës, 7 palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Basal, në deklaratën për AA tha: "Deri më tani, trupat e 7 palestinezëve dhe dhjetëra të plagosurve janë sjellë në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza. Ka ende trupa në rrugë dhe në rrënojat e shtëpi".

"Ekipet e Mbrojtjes Civile nuk mundën të arrinin tek të plagosurit dhe ata që humbën jetën për shkak të bombardimeve ajrore dhe sulmeve të ushtrisë izraelite. Shumë njerëz në Shujaiyye raportuan se ishin nën rrethimin e ushtrisë izraelite", theksoi Basal.

Ai shtoi se ushtria izraelite kreu sulme me raketa në shtëpitë ku po qëndronin palestinezët dhe tha se situata në Shujaiyye ishte "e vështirë dhe e dhimbshme".

Ushtria izraelite është përpjekur të hyjë në lagje nga toka njëkohësisht me sulme artilerike dhe ajrore në Shujaiyye që nga orët e mëngjesit. Ushtria izraelite bëri thirrje për evakuimin e rajoneve lindore të qytetit të Gazës dhe u kërkoi palestinezëve të evakuonin lagjet Shujaiyye, Al-Turkman dhe Al-Tuffah.

Dëshmitarët okularë për AA thanë se ushtria izraelite nuk ka dhënë asnjë paralajmërim përpara se të fillonte sulmet./aa