Shumë palestinezë u vranë dhe u plagosën si rezultat i bombardimeve të Izraelit ndaj pjesëve të ndryshme të Rripit të Gazës dhe ndaj një shkolle ku ndodheshin të zhvendosurit në qytetin Khan Younis.
Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, avionët luftarakë izraelitë bombarduan disa shtëpi në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës dhe dogjën shtëpitë që u përkisnin palestinezëve në lagjen "Brazili" në perëndim të qytetit.
Avionët izraelitë sulmuan shkollën Al-Hansa në qytezën Absan i Madh të Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, duke vrarë shumë palestinezë, përfshirë fëmijë dhe gra si dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.
Burimet shëndetësore në Spitalin Europian të Gazës, që ndodhet në lindje të Khan Younis në jug, në një deklaratë për gazetarin e AA-së njoftuan se shumë njerëz të vrarë dhe të plagosur arritën në spital si rezultat i bombardimeve izraelite që shënjestruan disa pjesë të qytetit të Rafah.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë 37.765 palestinezë, përfshirë të paktën 15.694 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa janë plagosur 86.429 persona të tjerë.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata./aa