Deputetë të partive opozitare nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) bojkotuan seancën e Kuvendit pasi nuk kaluan propozimet e tyre që të hiqen nga rendi i ditës dhe të rikthehen në komisione tri projektligjet e kontestuara nga Zyra e Bashkimi Evropian në Kosovë.
Bëhet fjalë për Projektligjin për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur zhgënjimin për këto tri projektligje që janë planifikuar për leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor, duke deklaruar se draftet nuk kanë përfshirë rekomandimet që synojnë përputhjen e tyre me standardet evropiane dhe praktikat më të mira.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar fillimisht kundër propozimit të deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj për heqjen nga pika e rendit të ditës të projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili theksoi se është kundër rekomandimeve të BE-së.
Pas këtij votimi kundër deputeti Selmanaj tha se LDK e sheh të paarsyeshme që të jetë pjesë e një seance ku votohet kundër rrugës integruese të Kosovës në BE, derisa bojkotit të tyre iu bashkëngjitën PDK-ja dhe AAK-ja. Sa i përket Projektligjit për zyrtarët publikë, BE-ja shprehu shqetësim për mosmarrjen në konsideratë të këshillave të saj të ofruara gjatë hartimit.
Sa i përket Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media, Zyra e BE-së tha se pavarësisht se versioni aktual ka përfshirë disa rekomandime të Këshillit të Evropës, legjislacionit i duhen rishikime të mëtejme që të përmirësohet qartësia ligjore dhe të përshtatet edhe më shumë me standardet evropiane.
BE-ja shprehu shqetësime për ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke thënë se Kosova nuk ka kërkuar opinion përcjellës nga Komisioni i Venecias. Zyra e BE-së tha se këto projektligje janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE-së, pasi shtetet që duan të anëtarësohen në bllok duhet të përafrohen me standardet evropiane./aa