Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) i kanë identifikuar dy lokacione në veri ku ishin vendosur kamera vëzhguese të kamufluara.
 

Siç njofton Policia e Kosovës, kamerat ishin vendosur për monitorim të lëvizjes së qytetarëve, institucioneve të Qeverisë dhe prezencës ndërkombëtare.
 

Sipas Policisë, në këtë mes janë identifikuar edhe dy persona të dyshuar për spiunazh, të cilët do të intervistohen.
 

“Më datë 27 qershor 2024, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në, kanë identifikuar dy lokacione në të cilat kanë qenë të vendosura kamerat vëzhguese të kamufluara për monitorim të lëvizjeve të qytetarëve, institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në veri te vendit”, ka thënë Policia.
 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke publikuar një video të kamerave të kamufluara, tha se mekanizmat e kontrollit dhe spiunazhit të Serbisë në Republikën e Kosovës do t’i luftojnë me çdo kusht.
 

“Sot janë identifikuar dhe sekuestruar dy kamera të kamufluara në dy lokacione dhe pajisje të tjera ndihmëse të komunikimit, nga të cilat institucionet e Serbisë kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve, zyrtarëve të institucioneve tona të sigurisë dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë. Koha e kontrollit të veriut të vendit tonë nga strukturat kriminale e terroriste të Serbisë ka përfunduar”, theksoi Sveçla.
 

Ai shtoi se rendi dhe ligji do të mbizotërojnë si çdo kund në Republikën e Kosovës./aa