Rruga e Qafë Dardhës, një tjetër projekt me rëndësi strategjike për Beratin, sapo ka filluar me lotin 1 “Çezma e Tarikos- Sotirë” me gjatësi rreth 17 km.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili theksoi se “loti 2 i cili do të fillojë brenda disa javësh me gjatësi 18 km prek aksin Vodicë- Çezma e Tarikos duke përfshirë dhe fshatin Bogdan”.
Demo tha se “të dy lotet prekin zonat e banuara (preken konkretisht fshati Bogdan i Poshtëm, me lagjet Novë, Frashtan, Bogdan Qendër, fshati Bogdan i Sipërm me lagjet Leshnje, Sazhdan, fshati Perisnak, fshati Qafë Dardhë dhe lagja Kotollak, fshati Dardhë)”.
“Ky investim çliron potencialin e paprekur të një zone me natyrë të jashtëzakonshme, nga më të bukurat të “nahies së Malit Tomor”, tha Demo.
Ekoturizmi, pjesë e paketës turistike të Beratit, me përfundimin e këtij aksi do të kërcejë në një tjetër nivel.
Gjithashtu ky aks mundëson lidhjen e bashkisë Berat me bashkinë Gramsh.
Teknikisht, u shpreh Demo, rruga do të ndjekë gjurmën ekzistuese ku do të përmirësohen kthesat me rrezikshmëri të lartë, ndërtimi i kanaleve kulluese, vepra arti, mure mbajtëse dhe tombino.
Loti 1 financohet nga qeveria shqiptare, ndërsa loti 2 financohet nga BERZH, ndërsa zbatimi projekteve mundësohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit./ata