Pasi shënoi nivele rekord në periudhën e pandemisë, borxhi publik është futur në një trajektore rënëse, Qeveria deklaron se rënia do të vijojë, nëpërmjet të ashtuquajturit “konsolidim fiskal”. Por a po ndodh për shkak të mirëmenaxhimit të financave publike apo faktorëve të tjerë, si zhvlerësimi i euros?
Borxhi publik ka zbritur në fund të vitit 2023 në 61.5% nga 74.5% në nivelin 2021, që ishte niveli më i lartë i shënuar. Qeveria ka parashikuar në buxhetin e këtij viti që ta zbresë borxhin në 59.8%.
Por a do të thotë kjo se qeveria po merr më pak borxh? Në fakt jo dhe le te shohim strukturën e borxhit.
Në dhjetë vitet e fundit, vlera nominale e borxhit publik është rritur me rreth 40%. Kjo rritje ka ardhur në pjesën më të madhe në formën e rritjes së borxhit të brendshëm, që merret në lek tek qytetarët, i cili është rritur me 1.7% nga fundi i vitit 2015 deri në fund të vitit 2023. Ndërkaq borxhi i jashtëm, që merret kryesisht në euro, është ulur nga 47.1% në 2015-ën në 45.4% në vitin 2023.
Euro ka pësuar një zhvlerësim të fortë vitet e fundit dhe nga kjo ka përfituar qeveria. Pasi ka paguar më pak për borxhin e jashtëm.
Vetëm në dy vitet e fundit, euro ka rënë me rreth 19%. Nga mesatarisht 118.9 lekë në vitin 2021 ne një mesatare prej 103 lekë këtë vit. Pritet që zhvlerësimi i euros të vazhdojë dhe rrjedhimisht, të ndikojë në uljen e borxhit, duke përmbushur objektivin e qeverisë, pa shumë mundim prej saj.
Por shifra zyrtare e borxhit nuk pasqyron realitetin e detyrimeve që qeveria i ka qytetarëve, biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kjo pasi në të nuk janë përfshirë kontratat e Partneritetit Publik Privat; vendimet e Gjykatave ndërkombëtare; borxhet e qeverisë qendrore dhe ato te bashkive qe vetëm këto dy te fundit janë rreth 8 miliardë lekë, si dhe borxhet e shoqërive publike, kryesisht te sektorit energjetik.
Por edhe me shifrën e borxhit që qeveria deklaron vetë, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të këtij treguesi në rajon.
Për vitin 2023, ne jemi të parafundit në Ballkan, duke lënë pas vetëm Malin e Zi që e ka borxhin publik më të lartë se ne. Të gjitha vendet e tjera janë më mirë./Tema