Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka shpërndarë sot parlamentin e vendit dhe ka caktuar 1 shtatorin si datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Dekreti përkatës u publikua në faqen e internetit të Presidencës së Azerbajxhanit.

Gjykata Kushtetuese e Azerbajxhanit vendosi të enjten shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme “legjitime”, pas një kërkese të paraqitur në gjykatë nga partia politike në pushtet “Jeni Azerbajxhan”.

Nënkryetari i kësaj partie, Tair Budagov, kishte deklaruar se zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të mbaheshin në fillim të nëntorit 2024.

Megjithatë, një ngjarje globale është planifikuar të mbahet në Baku në nëntor – sesioni i 29-të i Konferencës së Palëve në Konventën Kornizë të OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike.

Autoritetet e Azerbajxhanit vendosën të ri-caktojnë datën e zgjedhjeve parlamentare për të shmangur përplasjen e kalendareve./aa