Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ofroi mbështetje materiale dhe trajnimi për familjet që merren me bletari në rajone të ndryshme të Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të projektit për zhvillimin e bletarisë të nisur nga TIKA në vitin 2007 koordinatori i TIKA-s në Shkup, Mehmet Bayrak dhe bletarët morën pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së materialeve të bletarisë të mbajtur pranë qytetit Gradsko, në pjesën qendrore të Maqedonisë së Veriut.
Në deklaratën e tij për media, Bayrak kujtoi se projekti u shfaq ndër praktikat më të mira të projektit të organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në kuadër të programit të bashkëpunimit jug-jug në vitin 2008.
Bayrak theksoi se ata e zgjeruan projektin duke përfshirë qytete dhe fshatra të ndryshme në vitet në vijim për shkak të rezultateve të suksesshme. "Deri më sot kemi dhuruar koshere dhe materiale bletarie për afro 300 familje në Maqedoninë e Veriut. Sot projektit tonë po i bashkohen familje të reja. Sot, 30 familjeve të përzgjedhura nga rajoni i Resnjës, Zhupës Qendrore, Pllasnicës, Pagarushës, Dërzhillovës, Radovishit dhe Negotinës u dorëzojmë 300 koshere bletësh dhe materialet e nevojshme për prodhim", tha ai.
Duke vënë në dukje se familjet që përfitojnë nga Projekti i Zhvillimit të Bletarisë konsumojnë mjaltin që prodhojnë dhe kontribuojnë në ekonomitë e tyre familjare duke e tregtuar në tregun lokal, Bayrak tha se ato kontribuojnë në zhvillimin rajonal dhe rural.
Bayrak tha se projektet që kanë realizuar në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë në Maqedoninë e Veriut nuk kufizohen vetëm në mbështetjen e aktiviteteve të bletarisë. Ai shtoi se kanë krijuar ndërmarrje serrash për 1.000 familje në mbarë vendin dhe kanë dhuruar fidanë të kumbullës, shegës, arrave, qershive dhe fidanë të luleshtrydheve për 600 familje.
Isuf Jakupi nga Shkupi, i cili ka përfituar nga ky projekt, tha se sapo ka filluar të merret me bletari. "Përkrahja e Türkiyes dhe TIKA-s për ne është e madhe. Sot na kanë mbështetur me pajisje shumë të mira, 10 koshere bletësh dhe materiale të ndryshme për të zhvilluar bletarinë. Si gjithmonë, TIKA është afër fermerëve dhe bletarëve. Falëndërojmë Türkiyen dhe TIKA-n", tha ai.
Nexhmetin Asan nga Zhupa Qendrore tha se TIKA u ka ofruar kushte të mira. "Kam bërë disa kërkime për bletarinë nga këndvështrimi im, sapo do të filloj. Ne kemi përfunduar trajnimin tonë, do të shohim kontributet që do të marrim", u shpreh ai./aa