Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediet, kritikoi gjendjen ekonomike të Shqipërisë duke e quajtur “skandaloze”, ndërsa shtoi se programi i Partisë së Lirisë do të krijojë mundësi të reja punësimi me paga të standardeve dinjitoze

Meta theksoi se struktura ekonomike e vendit nuk ka ndryshuar që nga viti 2011, duke mbetur e dominuar nga bujqësia, ndërtimi dhe importet. Ai vuri në dukje se bujqësia zë 21.3% të ekonomisë shqiptare, krahasuar me mesataren rajonale prej 9.4% dhe atë europiane prej 1.9%.

“Edhe në sektorin e shërbimeve, meqënëse jemi dhe vend me potencial shumë të madh turistik, dhe bëhet një propagandë shumë e madhe, për arritjet në fushën e turizmit, del që jemi të fundit në rajon”, tha Meta.

Meta tha se “Shqipëria siç e di gjithë bota ka peshën më të lartë të ndërtimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndaj dhe sipas censusit del që, këtu më shumë ka shtëpi dhe banesa, se sa banorë, jo familje. Pesha e ndërtimit në Shqipëri është 11.2%, është 2 herë më e lartë se sa në Serbi, se në Maqedoninë e Veriut, se në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Malin e Zi”.

Meta propozoi një “përmbysje” të modelit ekonomik, duke u orientuar drejt prodhimit dhe eksporteve, dhe duke mbështetur industrinë dhe arsimin për të rritur produktivitetin dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Ai tha se Partia e Lirisë është e angazhuar për të ndryshuar strukturën ekonomike të vendit dhe për të krijuar mundësi të reja punësimi me paga dinjitoze.

“Duke filluar nga ajo agro-përpunuese, manifaktura, përpunimi i mineraleve dhe lëndëve të para të vendit, veçanërisht hidrokarbureve, si, dhe rritja e vlerës së shtuar të produkteve nga përpunimi i tyre. Rritja dhe dyfishimi i buxhetit për arsimin, e sidomos për kërkimin shkencor dhe inovacionin, janë një prioritet i jashtëzakonshëm i Partisë së Lirisë për  të investuar për kapitalin njerezor. Niveli i buxhetimit për arsimin dhe inovacionin do të jetë mbi mesataren e vendeve të rajonit”, tha Meta./ata