Në bashkinë e Himarës vijoi sot shpërndarja e titujve të pronësisë, ndërkohë që regjistrimi përfundimtar i shtëpive të trashëguara përfundon i gjithi brenda vjeshtës.
I pranishëm në këtë aktivitet, kryeministri Edi Rama u shpreh se është e rëndësishme që njerëzit të aplikojnë.
“Për shumë prej jush është bërë edhe asistencë për aplikimin. Zyra e Kadastrës, Prefektura, bashkia janë në dispozicion që t’i asistojnë banorët që të bëjnë aplikimin si duhet, që do të thotë që hapet rruga për të bërë regjistrimin sepse tanimë e gjithë ana teknike është përfunduar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se është vetëm çështje aplikimi, vendosje në hartë i pronës dhe dorëzim i certifikatës që provon se kjo pronë është pasuri e patundshme e regjistruar.
Ndërkohë, kryeministri informoi se do të bëhet dorëzimi i vazhdueshëm i certifikatave në zyrën e Kadastrës në Himarë.
“Dërgimi me postë, që e përdornim, has në problemin e mosgjetjes së personit. Nuk mund ta lësh certifikatën në një shtëpi ku nuk është personi që e merr. Ndaj do të vendoset lista në zyrën e hipotekës dhe të gjithë personat që u del emri për të marrë certifikatën do të njoftohen me telefon nga zyra e kadastrës. Tani që procesi është futur në shina prodhimi i certifikatave do të jetë i përditshëm”, tha ai./ata