Ende pa u bërë një vit nga vizita e tij në Kosovë, Mark Rutte mori besimin e vendeve aleate për të qenë Sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Kryeministri holandez, përpos një periudhe kur pati skepticizëm për liberalizimin e vizave për kosovarët, ka mbështetur Kosovën në aspiratat e saj në integrim dhe ka takuar disa herë liderët e shtetit.

Në Prishtinë ka këndvështrime të ndryshme nëse emërimi i Rutte do të sjellë edhe avancim të përpjekjeve të Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës.

“Me lidershipin e ri që do të fillojë nga tetori mendoj do të vazhdojmë të kemi relacione të mira me NATO-n, do t’i shtrëngojmë edhe më shumë ato lidhjet e forta që kemi dhe së bashku do të jemi një kontributor i mirë, qoftë i paqes dhe sigurisë por edhe vlerave të tjera demokratike të cilat NATO i avancon”, tha Driton Hyseni, kryesuesi i delegacionit të Kosovës në AP e NATO-s.

 

“Ndërrimi i udhëheqësve të NATO-s nuk ka ndonjë rëndësi meqenëse NATO ka një politikë të sajën dhe nuk varet shumë nga ndryshimi i kreut të saj. Ju e dini sa herë që flasim për NATO gjithmonë njerëzit mendojnë vetëm në aspektin ushtarak, mirëpo NATO është një organizatë politiko-ushtarake dhe mendoj se politika e jashtme e NATO-s nuk ndryshon vetëm pse ndryshon kreu i saj”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

Pritjet për sekretarin e ri të NATO-s janë që të punojë ngushtë me Greqinë, Spanjën, Rumaninë dhe Sllovakinë, si katër vendet mos njohëse, që të mos bllokojnë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Aleancë.

“I njeh edhe zhvillimet shumë pozitive që kanë ndodhur në Kosovë nga afër, ishte në vizitë në Kosovë, është njohur me të gjitha trendet e zhvillimit dhe mendoj të tillë fryme të zhvillimeve pozitive në Kosovë ai mund ta orientojë edhe ta sqarojë edhe tek ato vende mos njohëse të Republikës së Kosovës që janë katër anëtaret e NATO-s të cilat momentalisht nuk e njohin Republikën e Kosovës”, nënvizoi Hyseni.

NATO pritet të vijojë mbështetjen për Kosovën por autoriteteve iu kërkohet që të mos ndërmarrin veprime që lëndojnë raportet me aleatët pasi kjo ndikon në integrim në strukturat veri-atlantike.

“Çdo moskoordinim me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë sjellë pasoja në integrime, edhe në integrimin në NATO e kështu me radhë, unë bëj thirrje që shteti i Kosovës në veprime, sidomos ato që kanë ndikim në situatën e sigurisë, të koordinohet me partnerët tanë”, shtoi Qalaj.

Kosova së fundmi avancoi statusin nga vëzhgues në anëtar të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ndërsa kërkoi anëtarësim të përshpejtuar në këtë organizatë pas agresionit rus në Ukrainë./OraNews