Censi i 2023 zbuloi se popullsia banuese në Republikën e Shqipërisë më (18 shtator 2023) rezultoi 2.402.113, me rënie prej 420 mijë persona, krahasuar me Censin e 2011. 

Kjo rënie përshtatet me trendin e vërejtur gjatë tre dekadave të fundit, që prej Censit të vitit 1989” thuhet në raportin e INSTAT duke evidentuar se faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar/brëndshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censusin e 2023.

Si ka ndodhur ndryshimi i popullisë ndër vite
Nga grafika e publikuar në dokumentin e Censit, Shqipëria sa vjen e tkurret duke kaluar dhe shifrat e 1979. Kështu në 1979 Shqipëria ka pasur 2.6 milionë banorë, pra 200 mijë më shumë se në 2023. Rritjen më të madhe të popullsisë e kemi pasur në 1989 me 3,2 milionë banorë.

Me rrëzimin e komunizmit, ardhjen e demokracisë dhe mundësisë së emigrimit Shqipëria vijon trendin e pandalshëm të rënies.

Popullsia sipas vitit të Censit (në milion)
- Në 1979 Shqipëria numëronte 2.6 milionë banorë
- Në 1989 Shqipëria numëronte 3,2 milionë banorë
- Në 2001 Shqipëria numëronte 3.1 milionë banorë
- Në 2011 Shqipëria numëronte 2.8 milionë banorë
- Në 2023 Shqipëria numëronte 2.4 milionë banorë

 

Foto: Marre nga raporti i INSTAT, Censi 2023, publikuar në 28 qershor 2024

Mesatarisht 50 mijë individë emigrojnë
Para vitit 1990, vendi përjetoi një rritje të qëndrueshme të popullsisë e cila nisi të zvogëlohej pas 1990, me rrëzimine komunizmit i cili shënoi një fazë të re në zhvillimin politik, ekonomik dhe demografik të Shqipërisë.

“Gjatë periudhës pasuese, normat e ulëta të lindshmërisë dhe emigracioni ishin faktorët kryesorë që kontribuan në zvogëlimin e popullsisë. Gjatë periudhës midis censeve 2001-2011, vlerësohet se rreth 500 mijë individë emigruan nga Shqipëria, një mesatare prej rreth 50 mijë individë në vit. Ky trend emigracioni qëndron pothuajse i njëjtë me mesatarisht 50 mijë emigrant në vit” thuhet në faqen 16 të dokumentit të censit

Po rikthehemi në shtesën natyrore pozitive
Po kështu dhe numri i lindjeve ka ardhur në rënie, nga 53 mijë në vitin 2001 në 34 mijë në vitin 2011, ndërsa, numri i vdekjeve në këtë periudhë mbeti në nivele të qëndrueshme, rreth 20 mijë vdekje në vit, duke rezultuar me një shtesë natyrore pozitive.

Gjithashtu, referuar periudhës 2011-2023, popullsia e Shqipërisë karakterizohej nga një shtesë natyrore pozitive deri në vitin 2020, dhe në 2021 mbas pandemisë COVID-19, numri i vdekjeve tejkaloi numrin e lindjeve. Për vitin 2023, nga të dhënat administrative rezultuan rreth 24 mijë lindje dhe 22 mijë vdekje, duke shënuar rikthim në shtesën natyrore pozitive

Shqiperia drejt plakjes
Në piramidën e popullsisë bazuar në Censin e 2023, së bashku me atë të Censit 2011 vihet re dhe një trend drejt plakjes.

Duke analizuar grupmoshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet një zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970 kur Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”.

“Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë. Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se një në pesë individë (19,7 përqind) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3 përqind) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5 përqind në Censin e 2001’ thuhet në raportin e Censit

Foto: Marre nga raporti i INSTAT, Censi 2023, publikuar në 28 qershor 2024

Në Shqipëri ka 100 mijë emigrantë dhe popullsi imigrante

Popullsia imigrante i referohet individëve të cilët kanë ndryshuar vendbanimin e tyre të zakonshëm nga një shtet tjetër në Shqipëri. Nga të dhënat e Censit2023 u vlerësuan 108.503 imigrant, 62,2 përqind meshkuj dhe 37,8 përqind femra. Për të dyja gjinitë, pjesa më e madhe e popullsisë imigrante i përket moshës 15-64 vjeç, (77,1 përqind), ndërsa 14,6 përqind janë mbi 65 vjeç. Rreth 8,3 përqind i përkasin grupmoshës 0-14 vjeç. Analizuar sipas grupmoshave, vihet re një përqindje më e madhe e burrave përkundrejt grave, vecanërisht midis grupmoshës 20-65 vjeç.

Foto: Marre nga raporti i INSTAT, Censi 2023, publikuar në 28 qershor 2024

Si bëhet matja e popullsisë

Dinamikat e popullsisë përcaktohen nga katër faktorë: lindjet, vdekjet, emigrimi dhe imigrimi. Efekti i secilit prej tyre në numrin e popullsisë jepet në ekuacionin e bilancit të popullsisë: P2023 = P2011 + L – V + I – E, ku P2023 dhe P2011 janë përkatësisht numri i popullsisë sipas Censit 2023 dhe 2011./Shqiptarja