Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot për zhvlerësimin e monedhës europiane, në raport me lekun.

 

“Rruga e gabuar e ekonomisë shqiptare dhe politikat e gabuara të qeverisë po sjellin pasoja të mëdha për sipërmarrjet”, tha Tabaku në një postim në rrjetet sociale.

 

Sipas saj, zhvlerësimi i euros nuk vjen si pasojë e rritjes ekonomike, por arsyeja janë burimet informale.

 

“Nuk ka model ekonomik që e shpjegon zhvlerësimin e euros, dhe forcimin e lekut me këtë situatë ekonomike. Zhvleresimi i monedhës euro, nuk vjen si pasojë e rritjes ekonomike, as si rezuktat i rritjes se prodhimit vendas, rritjes së sektorëve kryesorë si bujqësia që është në renie. Arsyeja e zhvlerësimit të Euros? Burimet informale, kryesisht në ndërtim, sidomos në Tirane dhe “paaftesisë” së qeverise për të investuar apo shpenzuar në projekte reale tëtaksave që I mbledh shqiptarëve”, deklaroi Tabaku.

 

Deputetja bëri të ditur se kosto që po i shkaktohet sot ekonomisë, sipërmarrjes eksportuesve, që mbajnë dhe bilancin tregtar në këmbë, është kolosale. “Llogaritet që humbjet të jenë 31 milionë euro prej zhvlerësimit të euros në të ardhurat e kompanive”, vuri në dukje Tabaku.

 

Ajo theksoi se industria dhe sektorët e tjerë që merren me eksportin po vuajnë prej kësaj situate, por njëkohesisht dhe turizmi që nuk shfrytëzon potencialin e plotë me pagesa në euro që kanë një vlerë më të ulët konvertuar në lekun vendas.

 

“Sot ringjallja e ekonomisë, shpërndarja e të mirave publike në të gjithë sektorët, krijimi i një modeli ekonomik që stimulon dhe jo që frenon sipërmarrjen private janë emergjenca kombëtare”, deklaroi Tabaku.