Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka përcjellë një mesazh në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Parlamentarizmit duke u shprehur: “uroj të mësojmë nga historia”.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali thekson se historia “na ka dëshmuar se debatet më të forta dhe më jetëgjata janë ato me fjalët më të zgjedhura, se Kuvendi nuk është arenë e fjalës pa fre, po freri i çdo lloj abuzimi me fjalën, se të jesh përfaqësues i popullit tënd nuk është vetëm detyrë partie, por mbi të gjitha e gjithçka detyrë Shqipërie, dhe se funksionet ligjvënëse, monitoruese e mbikqyrëse të Kuvendit nuk janë fjalë goje, por detyra që marrin vlerë vetëm kur kanë për qëllim të vërtetën”.
Ajo thekson se Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian nuk është slogan elektoral, por angazhim kombëtar plotësisht i realizueshëm.
“Uroj që opozita të kuptojë e të brendësojë rëndësinë e saj duke parë përtej penxhereve e hekurave që ia pamundësojnë vështrimin e horizonteve më të gjera e të na bashkohet në Komisionin e Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, Antikorrupsionin dhe në Komisionin për Dezinformimin, duke dëshmuar përgjegjësi e pjekuri në këtë prag mbylljeje të sesionit parlamentar”, nënvizon ministrja Spiropali.
Në përfundim, Spiropali shton se ”sesioni tjetër, një hap më pranë zgjedhjeve, uroj të mos shtojë nxehtësinë, por cilësinë e punës së Kuvendit tonë të përbashkët”./ata