Shkolla verore “Jam Shqiptar”, organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për nxënësit e shkollave shqipe në Itali ka përfunduar me sukses.

Zv.ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino u shpreh në një postim në rrjetet sociale se “në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, nxënësit tanë kanë përjetuar një eksperiencë të paharrueshme në Shqipëri, duke u njohur nga afër me historinë, kulturën dhe traditat tona kombëtare”.

Fino falënderon veçanërisht mësuesit e përkushtuar dhe familjet që kanë mbështetur këta fëmijë të mrekullueshëm.

“Ne jemi krenarë për ju dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer nxënës-prindër-mësues në Diasporë që bëjnë të mundur ruajtjen dhe kultivimin e identitetit tonë kombëtar”, nënvizon zv.ministrja Fino./ata