Kryeministri Edi Rama në takimin për prezantimin e projektit të ri për Thethin e së nesërmes, pas rrugës së re dhe kthimit në identitet të çative pasuri kulturore, si edhe një program të ri mbështetjeje për zhvillimin e pronave të të parëve u bëri thirrje banorëve të zonës të ruajnë me fanatizëm karakteristikat e zonës së Thethit.

“Ajo që është e rëndësishme është që ju ta kuptoni se pasuria juaj nuk është thjeshtë shtëpia, bujtina, ato janë për ju një motorr ekonomie që funksionon bashkë me gjithçka ka rrotull. Çka ka rrotull ju do ta ruani me fanatizëm. Ju vet. Çdo gjë që preket gabim, ja ul fuqinë motorrit të ekonomisë që është i juaji, privatisht dhe ashtu si e keni trashëguar. Në kohën kur ndërtonin kullat stërgjyshërit tuaj nuk ishin as të dalë nëpër botë, as nuk kishin studio arkitekturore, ama këtë lloj kryevepër se ka arritur asnjëri këtu, sepse janë vepra të bëra në përshtatje me klimën, kulturën e jetesës, dinamikat sociale, frengjitë e vogla dhe ne duhet të marrim maksimumin e saj”, u shpreh Rama.

Sipas tij, turistët vijnë këtu pikërisht për këto karakteristika, ndaj duhen ruajtur me fanatizëm.

“Çdo gjë moderne që bëhet duhet të respektojë këto elemente. Edhe elementet e rinj që futen e pasurojnë, duhet të bëhen gjëra që nuk gjinden kudo sepse ky është një vend që ka karakteristikat e veta”, tha ai.

Rama iu përgjigj edhe kritikëve për ndërhyrjen në ligj, përmes së cilës lejoheshin ndërtimet në këtë park kombëtar.

“Ky është park kombëtar, nëse e shikojmë ligjin, nuk duhet ndërtuar asgjë. Ajo që nuk kuptojnë është se ndërkohë këtu jetojnë njerëz, ka familje, fëmijë, të rinjt, të tjerë që duan të kthehen. Këta nuk do të vijnë të shikojnë qiellin, mos të kenë mundësi të nxjerrin përfitime”, u shpreh ai.

Njerëzit, theksoi ai, janë aty për të pasur një jetë më të mire, kanë nevojë të bëjnë investime, por duhet përgjegjshmëri që ato investime të jenë vlerë e shtuar jo dëme për natyrën.

“Kërkesa do të vijë duke u rritur, do të rriten çmimet po ashtu. Përfitimi do të rritet duke ruajtur me fanatizëm këtë që keni dhe duke bërë gjërat e reja po kaq cilësore dhe harmonike me ato që keni. Korsika ka ruajtur me fanatizëm traditën e vet. Nëse hedh një gjë në tokë është gjoba më e rëndë në të gjithë mesdheun. Dhe të gjithë banorët atje janë roje. Nëse prisni pemët edhe vlera e pronës bie”, shtoi Rama./ata