Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka miratuar sot marrëveshjen e financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Greqisë dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA Greqi-Shqipëri 2021-2027.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ami Kozeli, duke prezantuar detajet e marrëveshjes, tha se fondi i asistencës do të jetë 33.31 milionë euro, ku 26.65 milionë euro do të financohen nga BE dhe pjesa tjetër do të jetë bashkëfinancim i të dyja vendeve.

“Objektivi është të mbështesë rajonet ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë për një tranzicion të qetë dhe ekonomi të qëndrueshme për të ulur pabarazitë, për një integrim të butë. Në këtë program, ndryshe nga programi IPA i shkuar është shtuar qarku i Fierit. Në total janë 5 qarqe: Qarku i Vlorës, Gjirokastrës, Beratit, Korçës dhe ai i Fierit që është shtuar tani”, tha Kozeli.

Ai tha se janë tre akse prioritare. “Aksi i parë është aksi i gjelbër, ku përfshihet parandalimi i fatkeqësive, promovimi i aksesit në ujë dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ujit. Rritja e mbrojtjes së natyrës, biodiversiteti dhe mbrojtja e natyrës së gjelbër. Aksi i dytë është përmirësimi i aksesueshmërisë në zonat ndërkufitare, lëvizshmëria, rezistenca ndaj klimës, inteligjenca etj. Aksi prioritar i tretë lidhet me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, akses i barabartë në sistemin shëndetësor etj”, përfundoi Kozeli./ata