Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), mbajtën sot në Tiranë takimin rajonal me temë: Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe ndikimi i tij në përshpejtimin e reformave të shtetit të së drejtës.
Kryetarja e KKIE, Jorida Tabaku në fjalën e saj përshëndetëse e cilësoi Planin e ri të Rritjes dhe fondet në dispozicion një luks i cili nuk duhet humbur.
“Plani i ri i Rritjes dhe fondet në dispozicion janë një luks që nuk duhen humbur, për të financuar reforma të cilat nuk kanë ndodhur deri sot. Plani i ri i Rritjes vendos një theks të caktuar në rritjen e integrimit ekonomik, tregun e përbashkët rajonal, në përshpejtimin e disa reformave që deri sot i kanë munguar Ballkanit Perëndimor dhe kjo shoqërohet me një rritje të asistencës financiare për vendet për të financuar këto reforma”, u shpreh Tabaku.
Plani i rritjes prej 6 miliardë eurosh, sipas saj, është një mundësi të cilën qeveritë e Ballkanit Perëndimor duhet ta materializojnë duke hartuar e ndërtuar planet e reformave ekonomike që do të fokusohen në 7 fusha.
Tabaku vlerësoi si pozitive rritjen e rolit të Parlamentit në procesin e integrimit.
“Të gjithë jemi koshjent që monitorimi i institucioneve të pavarura, se si ato kryejnë detyrimet në kuadër të procesit të integrimit, duhet të jenë komunikim i vazhdueshëm i qeverisë dhe Parlamentit. Ndaj dhe ligji i ri “Për Parlamentin” i ka dhënë më tepër funksione Parlamentit, funksione të cilat kurrsesi nuk i merr dot qeveria, pasi i takojnë Parlamentit dhe duhet të kryhen përmes KKIE dhe Komisionit për Çështjet Europiane që besoj do të jetë funksional në ditët në vijim. Ndarja e dhe kontrolli i pushteteve është elementi kryesor që procesi i integrimit dhe Parlamenti duhet të sigurojë“, u shpreh Tabaku.
Ajo i bëri thirrje qeverisë të hartojë reformat ekonomike në kuadër të Planit të Rritjes.
“Shpresoj shumë që në të ardhmen të kemi mundësi të diskutojmë me element konkret të reformave ekonomike të miratuara nga qeveria dhe me planin që i takon Parlamentit mbi ligjet që do të kalojnë në Parlament, që lidhen me këto reforma ekonomike dhe çfarë roli do të luajmë të gjithë bashkë në këtë proces, kam parasysh partitë politike, pasi secili ka vendosur një tullë, një gur, në këtë proces dhe shpresoj të jetë i tillë“, deklaroi Tabaku.
Më tej, Tabaku tha se Plani i Rritjes ka në fokus edhe integrimin rajonal.
“Aspironim të integroheshin në BE dhe harruam të integroheshim në rajon dhe plani i rritjes na kujton edhe një herë potencialin që ne kemi, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për t’u integruar së bashku”, tha ajo./ata