Në aksin rrugor Ndroq-Durrës po punohet me intensitet për ta kthyer në segment më lehtë të aksesueshëm për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha sot gjatë një interviste televizive se, Autoriteti Rrugor Shqiptar, (ARRSH) me fondet e veta po punon për rehabilimin e pjesëve të amortizuara të këtij aksi që nis nga dalja e Tiranës me qëllim rritjen e sigurisë rrugore përgjatë gjithë segmentit.
Sipas saj, rruga Tiranë-Ndroq-Durrës është në një zonë ku agroturizmi ka marrë një vëmendje të shtuar pasi ushtrojnë aktivitetin e tyre një sërë biznesesh kryesisht në agrikulturë.
“Zona e Ndroqit ka qenë një nga nismëtaret e zhvillimit të bujtinave, të prodhimeve bio, kështu që kjo është një rrugë që qytetarët, qoftë të Tiranës dhe Durrësit, apo dhe qytetarë të tjerë nga të gjitha vendet e Shqipërisë, e përdorin edhe për këtë lloj turizmi ndaj është shumë e rëndësishme. Për më tepër, të gjitha rrugët ndihmëse që lidhin qytetin e Tiranës me qytetin e Durrësit, pavarësisht autostradës që ne kemi, janë shumë të rëndësishme dhe duhen mirëmbajtur”, theksoi Balluku./ata