Sot hyn në fuqi rritja historike e pagave për mësuesit, një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare, që e çon pagën mesatare të mësuesve në 950 euro.
Në një takim që zhvilloi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë, u diskutua mbi rritjen e pagave por edhe shtimin e roleve të reja të mësuesve në shkolla. Rolet e reja në shkollë përfshijnë vendosjen e mësuesve-koordinatorë, të cilët do të kenë një rëndësi të veçantë për performancën dhe cilësinë e mësimdhënies së mësuesve.
Ministrja Manastirliu tha se nga kjo politikë e rritjes së pagave përfitojnë rreth 30 mijë punonjës arsimorë si dhe njoftoi per mësuesit-koordinatorë, të cilët do të angazhohen për performancën dhe cilësinë e mësimdhënies.
“Do të shtojmë rolet e reja në shkolla, si ai i mësuesit-koordinator për cilësinë e mësimdhënies në shkollë; mësuesin-koordinator për orientimin e karrierës në shkollë, role që vijnë edhe me një klasifikim në mbështetje page, sepse do të jenë mësues të dedikuar, që përmbushin kriteret specifike, që do të funksionojnë brenda shkollës dhe do të angazhohen ekskluzivisht për matjen e performancës dhe cilësisë së mësimdhënies së mësuesve, për të mbështetur planet e trajnimit dhe kualifikimit të tyre”, tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se kjo rritja e pagave do të shërbejë edhe si motivim për të rinjtë që të zgjedhin profesionin e mësuesit. Përveç mësuesve, rritje të konsiderueshme page kanë patur edhe punonjësit psiko-socialë dhe punonjësit e sigurisë në shkolla./ata