Shqipëri, shkalla e analfabetizmit për popullsinë e moshës 15 vjeç e lart është 2.3%. Kjo shifër rritet ndjeshëm për personat mbi 70 vjeç, ku analfabetizmi arrin në 7.6%. Sipas të dhënave të censit 2023, 96.8% e popullsisë 15 vjeç e lart kanë përfunduar ose janë duke ndjekur shkollën. Nëse analizojmë shifrat sipas gjinisë, rezulton se përqindja e meshkujve që ndjekin shkollën është 0.8% më e lartë krahasuar me femrat.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar nivelin arsimor të popullsisë në vendin tonë. Të dhënat tregojnë se përqindja e popullsisë që nuk ka ndjekur asnjëherë shkollën ka rënë nga 4.1% në vitin 2011 në 3.2% në vitin 2023. Më shumë se gjysma e popullsisë, afro 55% ka përfunduar arsimin e mesëm ose të lartë, me meshkujt që përfaqësojnë 57.9% dhe femrat 52.1% të këtij grupi. Përkatësisht, arsimi i mesëm i ulët është përfunduar nga 38.8% e popullsisë, dhe 34.8% kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, i cili konsiderohet si niveli minimal që ndihmon individët të kenë një pjesëmarrje të plotë në shoqëri.

Vetëm 0.6% e popullsisë 15 vjeç e lart nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor.  Në harkun kohor të 12 viteve vëmë re se ka një rritje të dukshme në përqindjen e popullsisë me arsim të lartë (universitar dhe pasuniversitar), nga 10.7% në vitin 2011 në 20.2% në vitin 2023. Ndër ata me arsim të lartë, 55.7% janë femra dhe 44.3% janë meshkuj. Përqindja e femrave me arsim të lartë ka qenë në rritje të vazhdueshme, nga 41.1% në vitin 2001 në 51.% në vitin 2011 dhe 55.7% në vitin 2023.

Në grupmoshën 25-34 vjeç, 43.2% kanë përfunduar arsimin universitar dhe pasuniversitar, duke u krahasuar pothuajse në të njëjtin nivel me popullsinë e BE-së për këtë grupmoshë (43.1%) dhe vetëm 1.8 pikë përqindje më pak se targeti i BE-së prej 45% për vitin 2030. Për të njëjtën grupmoshë, 32.9% kanë përfunduar arsimin e mesëm  të lartë dhe 23.7% kanë përfunduar arsimin bazë. Ndër të arsimuarit që kanë ndjekur studimet universitare rezulton se dominon gjinia femërore me 53%./Tema