Kryeministri Edi Rama tha sot se kushtet e ruajtjes së barnave në “QSUT” janë njësoj si në spitalet më të mira të Europës dhe nënvizoi se QSUT ka një laborator analizash ultramodern.

Gjatë një takimi me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Rama tha se buxheti për barnat tumorale në shërbimin onkologjik është trefishuar, duke arritur në 30 milionë euro në vit, teksa shtoi se detyrë e qeverisë është ofrimi i kushteve dhe infrastrukturës, ndërsa bluzat e bardha duhet të ofrojnë me profesionalizëm dhe empati shërbimin ndaj pacientit.

Kreu i qeverisë theksoi se “ndryshe nga deri 10 vite më parë kur pacientët me infarkt referoheshin direkt pa asnjë minutë pritje në spitalet private, falë investimit të duhur të parave të popullit shqiptar në sistemin e urgjencës kardiake nuk mungon praktikisht asgjë dhe 5 mijë jetë janë shpëtuar në atë spital”.

Kreu i qeverisë pasqyroi dhe punën voluminoze të mjekëve të QSUT, e cila nuk kthehet në lajm, pasi është e përditshmja e tyre.

“2000 pacientë të shërbyer në njësinë e trajtimit të urgjencave cerebrovaskulare në 24 orë e 7 ditë. 2600 pacientë të tjerë të mbuluar me të gjithë gamën e sëmundjeve onkologjike në njësinë e radioterapisë e pastaj mijëra, e mijëra të tjerë sipas gjithë detyrave të ndara nuk bëjnë lajm, nuk bëjnë lajm, janë e përditshmja juaj. Është e përditshmja juaj te dera e pavijonit kur ata që çohen në këmbë dhe shërohen iu falënderojnë dhe ikin në shtëpi, po ai nuk është lajm, ajo është detyrë përditshme”.

Rama tha se kushtet për ruajtjen e cilësisë dhe menaxhimin e barnave, falë investimit që është bërë në infrastrukturë, për zinxhirin ftohës, për preparatorin qendror të depos qendrore të farmacisë, janë njësoj si në spitalet më të mira të Europës. “Kur ekipi i Pfizer ka parë depon, nuk i besohej që ishte në Shqipëri,” u shpreh ai.

Kryeministri vuri në dukje se buxheti total i barnave për të trajtuar sëmundjet tumorale që janë më të shtrenjtat në trajtim është trefishuar, ka arritur në 30 milion euro në vit dhe ka bërë të mundur zgjerimin e protokollit të mjekimit për sëmundjet onkologjike.

Rama tha se edhe herceptina, medikament mjaft i shtrenjtë tashmë ndodhet në spital.

Kryeministri Rama më tej shtoi se tashmë në QSUT nuk mungon asgjë.

“Ndërkohë që e mbani mend të gjithë shumë mirë që të bënit rezonancë dikur duhet të shkonit tek rruga e Rrogozhinës se s’po them ekzakt qytetin që kishte emrin rruga e të prisje sikur po takoje priftin për t’u rrëfyer për herë të parë e të fundit në jetë. Janë shërbyer në këtë qendër 120 mijë pacientë, mesatarisht në vit, janë rritur me 50% ekzaminimet imazherike dhe është ulur me 50% dita e qëndrimit në spital. Këto janë gjëra që të bëjnë të duan të ulërasësh kur sheh kafshë si ata që lemerisën dynjanë me çfarë kanë bërë dhe me si e kuptojnë misionin ose si nuk e kuptojnë misionin”, shtoi Rama.

Rama tha se janë 350 mijë shërbime ambulatore në 365 ditë të vitit. “350 mijë shërbime ambulatore janë bërë në QSUT nga 100 mijë që bëheshin ashtu si bëheshin, me ato kushte që bëheshin mes kaosit dhe mes gjithë mangësive ulëritëse që ju i dini më mirë se unë deri dekadën e mëparshme. Këtu në këtë qendër spitalore janë kryer 1.8 milionë analiza laboratorike të certifikuara me standarde të cilësisë dhe me një gamë analizash të dyfishuar”, tha Rama.

Dhe këtu kreu i qeverisë solli në vëmendjet se “sot QSUT ka një laborator analizash ultra modern dhe bën një gamë që se bën askush tjetër”./ata