Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Hellenic Seaplanes dhe Hellenic Water Airports në Janinë, Greqi.
Gjatë takimit ata diskutuan për planet për ndërtimin e portit të hidroplanëve në Vlorë.
Dredha tha se “ky projekt do të transformojë infrastrukturën tonë turistike dhe do të ofrojë një përvojë unike, të shpejtë, fleksibël dhe të sigurt udhëtimi për qytetarët dhe vizitorët e Vlorës, duke i afruar më shumë me bukuritë e Vlorës dhe të Shqipërisë”.
Gjatë vizitës në Janinë, Dredha u takua edhe me kryetarin e bashkisë, Thomas Begas, me të cilin bisedoi lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në turizëm dhe kulturë.
Dredha tha se “bashkë me Konsullen e Përgjithshme të Shqipërisë në Janinë, Irida Laci, vendosëm bazat për një memorandum bashkëpunimi, i cili synon të rrisë avantazhet për qytetarët tanë dhe të forcojë lidhjet mes qyteteve tona”.
“Jam i sigurt që ky është fillimi i një partneriteti të suksesshëm dhe të frytshëm për të dyja qytetet tona”, tha Dredha./ata