Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar dje kërkesën e Ndërmarrjes së Ujësjellësit për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm nga 40L/m3 në 60L/m3.

Miratimi i këtij vendimi ka sjellë reagimin e këshilltarëve të djathtë duke tensionuar situatën në mbledhjen e këshillit bashkiak ku pati edhe konfrontim fizik.

Në një reagim në rrjetet sociale, këshilli bashkiak shpreh keqardhjen për shfaqjen e shëmtuar që ndodhi në mbledhjen e këshillit bashkiak të Elbasanit duke e cilësuar “një çështje e stisur politike që nuk ka asnjë lidhje me interesat e qytetarëve të Elbasanit”.

Mbledhja e këshillit bashkiak u parapri nga një protestë e paralajmëruar nga disa këshilltarë të djathtë.

Në reagimin e Këshillit Bashkiak thuhet se goditja në detyrë e një këshilltari bashkiak nuk është sjellje të qytetarëve të Elbasanit dhe as e nderon atë.

Për shkak të këtyre pengesave, Këshilli Bashkiak nuk mundi të miratojë vendime të rëndësishme që garantojnë zhvillimin e qytetit dhe as vendimet që kanë të bëjnë me ndihmën ekonomike.

Rreth një muaj më parë këshilli bashkiak i Elbasanit dha pëlqimin për furnizimin 24 orë ujë të të gjithë qytetit, për heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve, dha pëlqimin për vijimin e investimit rreth 12.5 mln euro të KFV, përkthyer kjo me një rritje të vogël të çmimit.

Sipas këshillit bashkiak, kjo rritje çmimi nuk do të harrojë familjet në ndihmë ekonomike pasi këto familje do të rimbursohen nga bashkia e Elbasanit.

Elbasani aktualisht ka çmimin më të ulët të ujit të pijshëm 40L/m3 dhe Ndërmarrja e Ujësjellësit kërkon ta unifikojë në të gjithë qarkun 60L/m3, një rritje që nuk rëndon qytetarin duke marrë parasysh çmimet në të gjithë Shqipërinë. Korça paguan 70/m3; Tirana 65 L/m3; Vlora 60L/m3; Durrësi 70L/m3 etj./ata